Zbulohet laboratori i drogës në podrumin e një banese në Prishtinë, policia jep detaje

14:25 | 22 Shtator 2024
E.H

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth shkatërrimit të një laboratori të drogës në Prishtinë, për të cilin ka njoftuar më parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në njoftim thuhet se të shtunën, në podrumin e një banese në rrugën “Hyzri Talla” në kryeqytet është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme, përcjell Arbresh.info.

“Pas një pune hetimore rreth 10 mujore dhe aplikimit të masave të veçanta të hetimit nga hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës me datë 21.09.2024, rreth orës 21:50, në rrugën “ Hyzri Talla” në Prishtinë, në podrumin e një banese-vendbanimi është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike, e cila ishte në proces të terjes-ngurtësimit dhe substanca ende të pa detajuara si dhe mjete të punës të cilat janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike si “Laborator””, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se dyshohet që ky “Laborator” për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë të kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj të antidrogës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e përdorimit, kultivimit apo shitjes së substancave narkotike, përderisa masa të ashpra ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë atyre personave të përfshirë në vepra të tilla kriminale që në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, thuhet tutje në njoftim.

“Kërkojmë nga të gjithë qytetarët që në të mirën e përgjithshme për çfarëdo informate të rëndësishme që posedojnë në funksion të luftimit të dukurive negative të ndihmojnë Policinë e Kosovës dhe ofrojnë bashkëpunim”, thuhet në komunikatën për media./Arbresh.info

Lexo edhe:

Goditet një laborator i drogës në Prishtinë, Sveçla thotë se është i 19-ti i shkatërruar në tri vjet

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme