Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha të shtunën se përfundimi i luftës me Rusinë varet nga “vendosmëria” e aleatëve perëndimorë të Kievit në sigurimin e armëve të nevojshme. Ai tha se Perëndimi duhet ta lejojë Ukrainën që t’i përdorë armët e fuqishme për të goditur thellë brenda Rusisë, veprim që kundërshtohet nga Uashingtoni.
Presidenti ukrainas tha se takimet e tij në Shtetet e Bashkuara, javën e ardhshme, mund të jenë “vendimtare” për ndalimin e agresionit rus ndaj vendit të tij dhe përfundimin e luftës.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha të shtunën se Rusia po planifikon sulme ndaj objekteve bërthamore të Ukrainës në prag të dimrit. Kryediplomati ukrainas, Andriy Sybiha, u bëri thirrje vendeve aleate dhe organizatës së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore që të krijojnë misione të përhershme vëzhgimi në centralet bërthamore të Ukrainës.
“Sipas organeve ukrainase të zbulimit, Kremlini po përgatitet të sulmojë objektet kritike të energjisë bërthamore të Ukrainës përpara dimrit”, shkroi në rrjetin X kryediplomati ukrainas. “Në veçanti, ka të bëjë me nënstacionet e transmetimit të energjisë elektrike, kritike për funksionimin e sigurt të centralit bërthamor”.
Ai nuk dha detaje se pse Kievi besonte në përgatitjen e sulmeve të tilla. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur reagime nga Moska.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, bëri thirrje për një përgjigje të shpejtë globale ndaj kërcënimit të supozuar rus për sulme ndaj një objekti bërthamor.
“Kjo është përgatitje për një skenar të mundshëm fatkeqësie bërthamore. Rusia është terroriste”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
Rusia ka ndërmarrë një fushatë të gjerë bombardimesh të rrjetit elektrik të Ukrainës që nga vjeshta e vitit 2022. Sulmet ruse kanë dëmtuar ose shkatërruar pjesën më të madhe të kapaciteteve prodhuese të energjisë termike. Bombardimet ruse madje kanë goditur edhe diga por predhat e saj ende nuk kanë vënë në shënjestër centralet bërthamore të kontrolluara nga Ukraina.
Në vitin 2022 Ukraina e akuzoi Rusinë për shantazh bërthamor pasi forcat e Kremlinit pushtuan centralin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë. Moska e ka hedhur poshtë akuzën./voa/
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut