Izraeli tha se ka goditur qindra caqe në Liban, disa orë pasi udhëheqësi i Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, mbajti një fjalim duke u zotuar për hakmarrje, pas një sërë shpërthimesh që ndodhën në Liban dhe Siri, që kishin për shënjestër pajisje të telekomunikimit.
Izraeli nuk ka komentuar për shpërthimin e mijëra pejxherëve dhe radiolidhjeve të Hezbollahut, që kanë lënë të vrarë 37 persona dhe kanë plagosur pothuajse 3.000 të tjerë më herët gjatë kësaj jave, por Izraeli është fajësuar nga Hezbollahu për këto sulme.
Në fjalimin e tij, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, synoi të arrite dy qëllime kryesore: forcimin e moralit të Hezbollahut dhe mbajtjen e presionit psikologjik ndaj Izraelit. Pavarësisht se e pranoi se shpërthimet e pajisjeve të komunikimit të grupit përbënin një kthim prapa, ai i paraqiti incidentet vdekjeprurëse si pengesë të përkohshme në konfliktin më të gjerë me armikun.
Ai po ashtu foli për unitetin e Libanit në përgjigje të këtij incidenti dhe pretendoi se sulmi gjerësisht kishte dështuar të arrinte qëllimet e tij origjinale.
Në përgjithësi, retorika e Nasrallahut sinjalizoi se udhëheqësi i Hezbollahut ka pak të ngjarë që të ndryshojë kursin pavarësisht pengesave të fundit, dhe do të vazhdojë me gjendjen aktuale të konfliktit me intensitet të ulët me Izraelin.
Disa orë pas fjalimit të mbajtur më 19 shtator, ushtria izraelite tha se avionët luftarakë goditën “përafërsisht 100 raketahedhës dhe infrastrukturë tjetër të terroristëve”, duke shtuar se ka shkatërruar 1.000 armë që ishin bërë gati për t’u shkrepur.
Sipas medias shtetërore të Libanit, Izraeli e ka goditur Libanin të paktën 52 herë.
Ndërkaq, Hezbollahu tha se ka kryer të paktën 17 sulme në ndërtesa ushtarake në veri të Izraelit.
Shpërthimi i pajisjeve të komunikimit dhe sulmet ajrore vijnë pasi Izraeli tha se po zhvendos vëmendjen e luftës së tij nga Libani dhe Hezbollahu.
Që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor, mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.
Zjarri ndërkufitar ka lënë të vrarë qindra persona në Liban, shumica luftëtarë të Hezbollahut, dhe dhjetëra të tjerë në Izrael, përfshirë ushtarë. Dhjetëra mijëra persona nga të dyja anët e kufirit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka tentuar që të shmangë shpërthimin e një lufte në shkallë të plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut./rel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?