Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit: Një përkrahës i palëkundur i Kosovës

19:03 | 18 Shtator 2024
K.B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bogdani për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Osmani tha se ky lajm i hidhur preku jo vetëm zemrat e familjes të tij, por të gjithëve që e njohën.

Osmani thotë se Gerti ishte përkrahës i palëkundur i Kosovës, shkruan Arbresh.info

Presidentja thotë se ikja e parakohshme e tij është humbje jo vetëm për familjen, të afërmit, e miqtë, por edhe për politikën dhe parlamentarizmin shqiptar.

Telegrami i ngushëllimit i Presidentes Osmani:

Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Ky lajm i hidhur preku zemrat, jo vetëm të familjes së tij, por të të gjithëve që e njohën, përfshirë edhe mua për më shumë se dy dekada.

Gjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të tij politik, Gerti nuk ishte thjesht një deputet e aktivist politik i përkushtuar, por një përkrahës i palëkundur i Kosovës.

Në çdo rol që mbante dhe në çdo mundësi që iu dha, ai e mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion.
Përkushtimi i tij i palëkundur dhe përpjekjet e tij të palodhura për ta afirmuar Kosovën dhe shqiptarët nuk do të harrohen kurrë.

Gjithmonë do ta kujtoj Gertin, jo vetëm si një koleg, por si një mik të vërtetë, një njeri me integritet, bujari dhe besnikëri.

Ikja e parakohshme e tij është humbje jo vetëm për familjen, të afërmit, e miqtë, por edhe për politikën dhe parlamentarizmin shqiptar.

Humbja e tij është e pamatshme, ndërkaq dhimbja ime është me familjen, në këtë kohë të vështirë.

Gerti iku, por pas la shëmbëlltyrën e profesionistit, politikanit dhe mbi të gjitha të njeriut të mirë!

Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

I përhershëm qoftë kujtimi për Gerti Bogdanin!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme