Google ADS

Kurti takoi kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe drejtorët komunalë

15:37 | 17 Shtator 2024
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë takuar sot kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Pecin dhe drejtorët komunalë.

Sipas njoftimit të zyrës së Kryeministrit, ky takim ka ardhur në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave veriore, raporton Arbresh.info.

“Temë qendrore në këtë takim, ishte qeverisja komunale, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, të cilat tashmë janë funksionalizuar në Komunën e Zveçanit. Kryetari Ilir Peci, e njoftoi kryeministrin me projektet e përfunduara, 12 sosh, gjatë mandatit tij dhe për projektet që janë në proces të zbatimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, tutje bëhet e ditur se u veçua praktika e takimeve të rregullta javore ndërmjet drejtuesve komunalë dhe qytetarëve të të gjitha komuniteteve, gjë që sipas njoftimit, dëshmon nivelin e mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, masat mbështetëse të komunës për banorë në fushën e bujqësisë, nga të cilat shumica e përfituesve vijnë nga radhët e komunitetit serb, masat e punësimit të mbështetura nga Qeveria, e prej të cilave deri më tani 80 qytetarë janë punësuar, si dhe bashkëpunimin e afërt të komunës me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Gjatë takimit, u diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara në komunë, për nevojën për investime publike në zgjerimin, funksionalizimin dhe përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, sidomos në fshatrat më të thella të komunës, në infrastrukturë dhe në ndriçim publik, që do të rriste sigurinë publike. Me këtë rast, u theksua rëndësia e përgatitjeve dhe miratimi i buxhetit komunal sipas afateve të Qarkores Buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve, në mënyrë që buxheti për projektet aktuale dhe ato të reja të reflektojnë në Ligjin për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti falënderoi kryetarin Peci dhe drejtorët komunalë për punën e tyre të përditshme, angazhimin për përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenien e qytetarëve, pa dallim, si dhe për bashkëpunimin e mirë me institucionet qendrore./Arbresh.info/

Të ngjashme