Stoltenberg: Vendet të vendosin vetë nëse mund Ukraina t’i përdorë armët me rreze të gjatë në Rusi

22:02 | 16 Shtator 2024
E.G

Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të hënën se i mirëpret bisedimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina për sulme brenda Rusisë, por shtoi se çdo vendim për këtë çështje duhet të merret nga secili vend aleat veç e veç.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, biseduan në Uashington të premten nëse duhet të lejohet Kievi t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi kundër shënjestrave brenda Rusisë.

Asnjë njoftim rreth kësaj çështje nuk u bë i ditur.

“Unë i mirëpres këto zhvillime dhe këto vendime, por u takon aleatëve veç e veç ta marrin vendimin përfundimtar”, tha Stoltenberg për LBC radio.

“Politikat e aleatëve për këtë çështje dallojnë”, shtoi ai.

Disa zyrtarë amerikanë nuk besojnë se lejimi i përdorimit të raketave të tilla do ta bëjë ndpnjë dallim të madh në luftën e Kievit kundër pushtuesve rusë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se Perëndimi do të futej në një lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë, nëse do ta lejonte Ukrainën të kryejë sulme në tokën ruse me raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhuara nga Perëndimi.

I pyetur për mundësinë e hakmarrjes nga Rusia, Stoltenberg tha se “në luftë nuk ka opsione pa rrezik”.

“Por, unë vazhdoj të besoj se rreziku më i madh për ne, për Britaninë, për NATO-n, do të jetë nëse presidenti Putin e fiton luftën në Ukrainë”, shtoi ai.

Stoltenberg, ish-kryeminitër i Norvegjisë, do të largohet nga drejtimi i NATO-s në tetor të këtij viti./rel

Të ngjashme