Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjen e aktorit të ndjerë Adem Mikullovci në katër vjetorin e vdekjes së tij.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun, shkruan Arbresh.info.
“Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare. Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë”, ka shkruar ai.
“Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror.”, shtoi Kurti.
Kryeministri theksoi se Mikullovci ka qenë kontribues i madh si i partisë ashtu edhe në veprimtarinë e tij si deputet.
“Për ne, po edhe gjerësisht për popullin e Kosovës, ai do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë.”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/
Maignan pranë rinovimit me Milanin
Pacolli uron 17-vjetorin e Pavarësisë: Festojmë me krenari s...
Audi sfidon konkurrencën – njofton vetura më të shtrenjta dh...
Vendos goli i Conceicaos, Juventusi triumfon derbin e Italis...
Shtatë arsye pse duhet të nisni mëngjesin me banane
Qeshni më pak për të mos u dukur të vjetër