Një raketë, që u lëshua nga rebelët jemenas, Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, ra në Izraelin qendror mëngjesin e së dielës. Kjo nxiti lëshimin e sirenave për sulme ajrore në aeroportin ndërkombëtar. Izraeli ka lënë të kuptohet se do të përgjigjet ushtarakisht.
Nuk ka raportime për viktima apo për dëme të mëdha materiale, por mediat izraelite kanë publikuar pamje të njerëzve duke nxituar të shkojnë në strehimore për bomba në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion. Autoritetet e aeroportit thanë se shumë shpejt rinisën operimin.
Ushtria izraelite kishte bërë disa përpjekje për të rrëzuar raketën. Ushtria tha se duket se raketa është goditur në ajër, por incidenti ende duke u hetuar.
Rebelët Huthi vazhdimisht kanë lëshuar dronë dhe raketa drejt Izraelit që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në tetor, por pothuajse të gjitha janë rrëzuar mbi Detin e Kuq.
Në korrik, një dron i prodhimit iranian, i lëshuar nga rebelët Huthi, goditi Tel Avivin duke vrarë një person dhe duke plagosur dhjetë të tjerë. Izraeli u përgjigj me një valë sulmesh ajrore në zonat në Jemen që kontrollohen nga rebelët.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet se shteti i tij do të përgjigjet edhe ndaj sulmit të fundit, teksa mbajti mbledhjen e ekzekutivit që ai udhëheq.
“Rebelët Huthi duhet ta dinë se çfarë çmimi të lartë do të paguajnë për çdo përpjekje për të na dëmtuar ne”, tha ai.
Zëdhënësi ushtarak i rebelëve jemenas, Yahya Saree, tha se ata lëshuan një raketë balistike, që kishte për shënjestër një “cak ushtarak” në Jafa, që është pjesë e Tel Avivit.
Hashim Sharaf al-Din, zëdhënës i ushtrisë që udhëhiqet nga rebelët, tha se jemenasit do ta festojnë ditëlindjen e Profetit Muhamed, ndërkaq “izraelitët do të jenë në strehimore për bomba”.
Rebelët Huthi vazhdimisht kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazë. Shumica e anijeve të shënjestruara nga ta, nuk kanë lidhje me Izraelin.
Irani mbështet grupe militante në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë Hamasin, rebelët Huthi dhe Hezbollahun – grupin libanez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – grup që ka këmbyer zjarr në kufi me Izraelin pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gazë.
Përveç raketës së lëshuar nga rebelët jemenas, ushtria izraelite tha se rreth 40 raketa u lëshuan nga Libani mëngjesin e së dielës, duke shtuar se shumica e tyre u penguan./euronews
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...