Alicia Kearns: Britania të fokusohet urgjentisht në Ballkan, Vuçiqi po bën plane për aneksimin e veriut

19:12 | 14 Shtator 2024
R J

Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka reaguar pas deklaratave të së premtes të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq.

Kearns, e cila është një përkrahëse e patundur e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar që, pas prononcimit të djeshëm të Vuçiqit, të fokusohet urgjentisht në Ballkan, përcjell Klankosova.tv.

Përmes një postimi në X, ajo thotë se edhe pse ka kaluar gati një vit që nga sulmi në Banjskë, ende nuk ka drejtësi, dhe ende nuk ka sanksione nga BE-ja ndaj Serbisë.

“Pothuajse një vit nga sulmi i Banjskës ende nuk ka drejtësi, dhe përkundër pjesëmarrjes së shtetit serb, ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë)”, shkruan deputetja angleze.

Kearns thotë se presidenti serb po sillet sikur Putini dhe po bën plane për aneksimin e veriut të Kosovës, mirëpo thekson se Kosova është shtet sovran, dhe se populli i Kosovës veriore dhe serbët e Kosovës “nuk duhet të përdoren si pengje në ambiciet irredentiste”.

“Vuçiqi po vepron në bazë të libri të lojërave të Putinit duke i bërë planet për aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova është shtet sovran. Ballkani duhet të largohet nga botëkuptimet sektare, populli i Kosovës veriore dhe serbët e Kosovës meritojnë më mirë, e jo të përdoren si pengje në ambiciet irredentiste”, shkruan deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

Kujtojmë se deputetja britanike ishte ndër të parët që kishte paralajmëruar për një sulm të mundshëm në veri të Kosovës, sikurse ai që ndodhi më 24 shtator, 2023 në Banjskë. Korrikun e vitit 2023, ajo kishte alarmuar se në Kosovë po hyn armatim nga Serbia përmes autoambulancave, e të cilat, sipas saj, po vendosen nëpër kisha ortodokse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme