Google ADS

Kosova dhe Shqipëria me bilanc të njëjtë në dy ndeshjet e para të Nations League, këndelljen do ta kërkojnë në tetor

09:08 | 13 Shtator 2024
L G

Të martën përfundoi edhe xhiroja e dytë e Nations League.

Rezultatet nga dy ndeshjet e para të kombëtareve të Kosovës dhe Shqipërisë, ishin jo edhe aq të mira, shkruan Arbresh.info.

Kombëtarja e Kosovës bënë pjesë në grupin 2 të Ligës C, në Nations League së bashku me Rumaninë, Lituaninë dhe Qipron.

“Dardanët” ndeshjen e parë e luajtën ndaj Rumanisë, kombëtare nga e cila u mposht me rezultat bindës 3-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Kjo humbje la një shije të hidhur në kampin dardan, pasi rumunët janë rivali kryesor për pozitën e parë të grupit.

Pas kësaj disfate, Kosovës iu shtuan edhe disa probleme brenda kombëtares ku u përjashtuan tre lojtarë, Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Aro Muric, për arsye se kishin thyer rregullat e caktuara nga përzgjedhësi, Franco Foda.

Mirëpo ky përjashtim duket se nuk e ka prishur atmosferën brenda kombëtares në bazë të rezultatit të arritur ndaj Qipros.

Vetëm një ditë pas kësaj ngjarje “Dardanët” triumfuan me rezultat bindës 4-0, ndaj qipriotëve në Larnaca, duke lënë pas humbjen dëshpëruese nga Rumania.

Kështu pas dy ndeshjes në grupin 2 të Ligës C, Kosova ndodhet në pozitën e dytë në tabelë me tri pikë, kurse liderë është Rumania me gjashtë sosh.

Qipro është e treta me aq pikë sa ka edhe Kosova mirëpo në ndeshjen direkt me “Dardanët” janë mposhtur.

E fundit në këtë grup është Lituania pa pikë.

Kujtojmë skuadra që radhitet e para në grup kualifikohet për Ligën B të Kombeve dhe fiton mundësinë për të marr pjesë në play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Kosova dy ndeshjet e radhës i luan në muajin tetor, fillimisht udhëton në Kunas për t’u përballur me Lituaninë me 12 tetor, ndërsa pas tri ditësh ndeshet me Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Edhe kombëtarja e Shqipërisë pati të njëjtën bilanc sikur “Dardanët”, me një fitore dhe një humbje për dy ndeshjet e shtatorit.

Kombëtarja shqiptare e nisi në mënyrë perfektë këtë edicion të ri në Nations Laegue me një fitore si mysafir i Ukrainës me rezultat 2-1.

Por, ndeshja e dytë e tyre la shumë për të dëshiruar.

“Kuqezinjtë” u mposhtën në “Air Albania” mbrëmë nga Gjeorgjia në duelin direkt për pozitën e parë në tabelën grupit 1, në Ligën B të Kombeve.

Në këtë grup ndodhet edhe Ukraina dhe Republika Çeke.

Pas dy ndeshjeve të para, Gjeorgjia prinë në tabelë me gjashtë pikë, e dyta është Shqipëria me tri, aq sa ka edhe Republika Çeke në pozitën e tretë, mirëpo “Kuqezinjtë”, kanë golavarazh më të mirë.

E fundit në këtë grup është Ukraina, e cila është pa pikë pas dy ndeshjeve.

Të zgjedhurit e Sylvinhos, dy ndeshjet e radhës në muajin tetor do t’i luaj jashtë Shqipërisë, fillimisht me 11 tetor ndaj Çekisë, e pastaj tri ditë më vonë sërish do të jetë mysafir i Gjeorgjisë.

Ky edicion i rregullt i Nations League League përfundon në muajin nëntor, ndërsa kombëtarja lidere e grupit ngritët në një Ligë më lart.

Një mundësi të mirë për t’u ngjitur më lart e ka edhe kombëtarja që renditet e dyta në grup, pasi do të luaj një ndeshje play-offit me kombëtaren që renditen e treta në Ligën A.

Zakonisht ndeshjet e play-offit të Nations League luhen në muajin mars dhe qershor./Arbresh.info/  Drilon Halili/

 

Të ngjashme