Në qytetin holandez të Bredës ka nisur sot gjyqi i ish-kampionit të këtij vendi dhe fituesit të Kupës FA të Anglisë, Ronnie Stam për kontrabandë të dy tonëve kokainë.
40-vjeçari u arrestua në qershor me dyshimin për vepra droge të kryera në 2021 dhe 2022. Prej asaj kohe ai ndodhet në paraburgim dhe sot ka nisur gjykimi i tij në Breda.
Ish-mbrojtësi holandez, i cili luajti në Ligën Premier për Wiganin për katër vjet dhe fitoi FA Cup me këtë skuadër në vitin 2013, duke mposhtur në finale Manchester Cityn, u arrestua së bashku me katër anëtarë të tjerë të familjes, ndërsa hetimi është gjithashtu duke u kryer për gjoja pastrim parash.
Mëngjesin e sotëm, gjykata e Bredës ka hapur seancën për trafikun e dyshuar të 2217 kilogramë kokainë.
“Kjo çështje ka të bëjë me qindra kilogramë kokainë. Unë pretendoj se Stam ishte një lojtar kryesor në botën e drogës”, deklaroi prokurori në seancë.
Stam nuk u paraqit në gjykatë në fillim të gjyqit për të dëgjuar akuzat, por do të dalë para gjykatësit më 28 nëntor.
Ish-futbollisti, i cili arriti të bëhej edhe kampion i Holandës me fanellën e Twentes, u arrestua pasi policia zbuloi mesazhet e koduara.
I janë konfiskuar paratë, tri prona, një jaht, tri makina, gjashtë ora luksoze dhe bizhuteri. Ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, Ronnie Stam është i vetmi që është ende në paraburgim.
Avokati i tij i kërkoi gjykatës lirimin e përkohshëm të ish-futbollistit, por gjyqtari refuzoi, duke shprehur frikën se Stam do të ikte për t’u bashkuar me vëllain e tij në Dubai. /Telegrafi/
Röpke: BE s’mund të zhgënjejë më vendet e Ballkanit, d...
Rama në Bruksel: Së shpejti krijojmë Komitetin e Përbashkët ...
Sekuestrohen katër armë zjarri në Breznicë të Obiliqit, arre...
Kurti udhëton për në Bruksel, merr pjesë në drekën e ftuar n...
Loredana Zefi pjesë e jurisë së një prej ngjarjeve më të mëd...
Von der Leyen takon sot liderët e Ballkanit Perëndimor