Google ADS

Kanadaja pezullon lejet për shitjen e armëve në Izrael

19:44 | 12 Shtator 2024
R J

Kanadaja ka pezulluar 30 leje për shitjen e armëve në Izrael dhe ka anuluar një kontratë me një kompani amerikane për t’i shitur ushtrisë izraelite municione të prodhuara në Quebec, ka njoftuar Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Melanie Joly.

Joly theksoi se qeveria nuk do të lejojë që municionet e prodhuara kanadeze – në këtë rast të prodhuara nga krahu kanadez i General Dynamics me bazë në SHBA – të shiten ose të dërgohen në vende të tjera për rishitje në Izrael.

Bëhet e ditur se lajmi u mirëprit nga Këshilli Kombëtar i Myslimanëve Kanadezë (NCCM), organizata më e madhe e advokimit mysliman në Kanada, shkruan AA.
“Ministrja Joly dha një mesazh të qartë duke deklaruar se politika e Kanadasë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit mbetet në fuqi”, deklaroi NCCM.

Shitja e armëve kanadeze nga një vend ndërmjetës për shitje në Izrael ka qenë një “mollë sherri”. Joly tha se ky lloj transaksioni biznesi si ai i General Dynamics është shprehimisht i ndaluar.

“Sa i përket pyetjes në lidhje me General Dynamics, politika jonë është e qartë”, tha Joly. “Ne nuk kemi asnjë armë apo pjesë armësh për t’i dërguar në Gaza. Nuk ka rëndësi se si po dërgohen dhe ku po dërgohen. Prandaj, pozicioni im është i qartë, pozicioni i qeverisë është i qartë dhe ne jemi në kontakt me General Dynamics”, shtoi ajo.

Të ngjashme