Ashtu siç ka ndodhur prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, që u vendos nga Gjykata e Posaçme GJKKO pas shkeljes së detyrimit për t’u paraqitur.
Këtë të mërkurë, ish-kryeministri u morr zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, teksa prokurorët që po hetojnë dosjen “Partizani”, i komunikuan akuzën për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”, shkruan A2.
sh-kryeministri qëndroi rreth 20 minuta në ambientet e SPAK, ku në orën 14:00 do të paraqitet për t’u njohur me akuzën edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha tha për mediat se se është “i pandehur” për ato që i konsideroi “500 faqe me mashtrime”, raporton A2.
“Jam i pandehur. Më akuzojnë për 500 faqe mashtrime, mashtrime dhe mashtrime. Asgjë nuk ndryshon, është vazhdim i një hakmarrje politike dhe për mua nuk ndryshon asgjë”, u shpreh kreu i PD.
Berisha, 8 muaj mes 4 mureve
Qetësia opozitare e Sali Berishës u trazua keqazi mbrëmjen e 21 tetorit 2023. Ishte mbrëmja kur SPAK nisi ekzekutimin e tre masave sigurie shtrënguese të dhëna në mungesë ndaj tre personave të dyshuar për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, siç raporton A2.
E para ishte kundër liderit demokrat, Sali Berisha, tjetra kundër dhëndrit, Jamarbër Malltezi, dhe një e tretë ndaj një biznesmeni ndërtimi. Për ish-kryeministrin, SPAK kishte marrë miratim nga Gjykata e Posaçme për masën e “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. E njëjta masë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa për Jamarbër Malltezin ajo e “arrestit në burg”.
Sipas SPAK, nga karrigia e kreut të qeverisë, Sali Berisha kishte miratuar ligje dhe akte nënligjore që i kishin hapur dritë jeshile dhe favorizuar privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku mes anëtarëve të ish-pronarëve përfitues ishte edhe Malltezi. Dhëndri i ish-kryeministrit u prangos në Rinas. Videoja bëri xhiron e rrjetit sa hap e mbyll sytë. Sali Berishës sakaq iu shtua një tjetër front. Ai kundër SPAK. Në ditët në vijim, Gjykata e Posaçme la në fuqi të tre masat. Ish-kryeministri zgjodhi të mos paraqitej në seancë, ku dërgoi vetëm avokatët. Sipas vendimit të Gjykatës, Berisha duhet të paraqitej dy herë në muaj në SPAK. Duke e konsideruar si të paligjshëm e të pabazuar, vendimi u injorua tërësisht nga ish-kryeministri.
SPAK e priti, por ai nuk mbërriti asnjëherë në prag në ditët e caktuara nga gjykata. Përpjekja e liderit demokrat për të rrëzuar masën në Apelin e Posaçëm dështoi. Ndërsa Jamarbër Malltezi mundi të lirohej nga qelia dhe të shkonte në “arrest shtëpie”. Injorimi disa herë me radhë i gjykatës nga Berisha nuk u tolerua nga SPAK, që në dhjetor kërkoi ashpërsim të masës së sigurisë. Më 30 dhjetor 2023 gjyqtarja Irena Gjoka vlerësoi se masa duhej ashpërsuar dhe urdhëroi dërgimin e ish-kryeministrit në “arrest shtëpie”.
Në të njëjtin vendim gjykata i pengonte atij komunikimin me persona të tjerë përveç familjarëve. Berisha iu bind vetëm izolimit në shtëpi. Nga dritarja e banesës së tij ai nisi një maratonë fjalimesh, që ndiqeshin nga dhjetra mbështetës në rrugicë, e shumë të tjerë përmes teknologjisë.
Nga ana tjetër, avokatët e tij vijuan betejën në disa fronte, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur zëvendësim të masës dhe shfuqizim të saj. Në të gjitha rastet, në të tre shkallët e gjykimit, morën përgjigje negative. Refuzim nga gjykatat mori edhe në një kërkesë për leje të posaçme të ish-kryeministrit për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.
Sali Berisha nuk e ka ndalur asnjë çast aksionin e tij publik politik, por prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar liria u nda prej tij. Prej gati 8 muajsh të vetmet orë lirie i ka shijuar paraditen e 23 janarit, kur ishte në SPAK për të dhënë deklarime. E dyta mundësi për të dalë nga shtëpia, ende pa i ndryshuar masa e sigurisë, është kjo e mërkurë, kur lideri demokrat pritet të paraqitet në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimit ndaj tij dhe nëse do të merret apo jo i pandehur nga Struktura e Posaçme.
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...