Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi.
Atje, Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas.
“Gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një analizë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje për tranzicionin energjetik dhe ndryshimet klimatike, vizionet për sigurinë njerëzore, shkëmbimet akademike dhe kulturore, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, si dhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave në angazhimin e diasporës. Pikë kryesore e takimit ishte hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së, transmeton Arbresh.info.
Gashi, në emër të Republikës së Kosovës, e falënderoi zëvendësministrin Rojas për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Kolumbia përgjatë proceseve integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ajo theksoi nevojën për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu, u propozuan dhe u iniciuan marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Akademive Diplomatike të të dyja vendeve, konsultimet politike dhe liberalizimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Kolumbisë. Këto marrëveshje, pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të nevojshme, pritet të nënshkruhen nga të dyja palët.
“Zëvendësministri Rojas e falënderoi zëvendësministren Gashi për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t’i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike. Zëvendësministrja Gashi, në takim, u shoqërua nga udhëheqësi i përkohshëm i Divizionit të Amerikës Jugore të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës dhe nga ambasadorja e Kosovës në Panama. Nga ana tjetër, zëvendësministri Rojas u shoqërua nga drejtoresha për Evropën dhe përfaqësues nga Drejtoritë e Protokollit dhe Çështjeve Politike Shumëpalëshe të Ministrisë së Jashtme”, thuhet në njoftim.
“Kjo vizitë ka rëndësi të veçantë, pasi është vizita e parë zyrtare dhe po zhvillohet në prag të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Bogota. Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...