Google ADS

Dardanët i rikthehen stërvitjeve pas humbjes nga Rumania, fokusohen te ndeshja kundër Qipros

15:44 | 7 Shtator 2024
K.B

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se ekipi kombëtar i Kosovës i është kthyer stërvitjeve gjatë ditës së sotme (e shtunë).

Pas humbjes nga Rumania (0-3) në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Ligës së Kombeve në Ligën C, Dardanët i janë kthyer sot stërvitjeve.

Synimi i vetëm i ekipit është për ta rikthyer moralin e lartë dhe për t’u përgatitur sa më mirë për sfidën e radhës kundër Qipros, e cila zhvillohet të hënën në Larnaca.

Në stërvitjen e sotme në Kampin Nacional në Hajvali ishin të pranishëm 13 lojtarë, të cilët nuk luajtën fare ose ishin zëvendësues në ndeshjen me Rumaninë.

Në anën tjetër, pjesa tjetër e ekipit që ishin titullarë kanë zhvilluar seancë rigjeneruese në palestër brenda hotelit ku po qëndrojnë.

Stërvitjen e radhës, Dardanët do ta zhvillojnë nesër (e diel) paradite, derisa më pas do të udhëtojnë drejt Qipros. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme