Bislimi mirëpriti ambasadorin Orav, biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së

16:08 | 6 Shtator 2024
R J

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti sot Shefin e ri të zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Në këtë takim të parë njoftues dhe pune, zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhje të përzemërt në Kosovë ambasadorit Orav dhe shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndërtuar një partneritet të ngushtë për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, lidershipi i ri pas zgjedhjeve evropiane, bashkëpunimi ndërinstitucional, qeverisja dhe progresi i Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, politikat energjetike dhe reformat ekonomike, të cilat së fundi u përshëndetën edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi angazhimin e Kosovës për të vazhduar reformat e nevojshme që do të avancojnë pozicionin e saj drejt marrjes së pyetësorit para statusit kandidat të BE-së, dhe gjithashtu konfirmoi angazhimin në përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes.

Të ngjashme