“Paralajmërimi i serbëve për bllokimin e kufijve në koordinim me “narko shtetin e Serbisë”

07:30 | 6 Shtator 2024
E.K

Mbyllja e postave serbe në veri të Kosovës e një sërë veprimesh që Qeveria e Kosovës ka ndërmarr në atë pjesë të banuar me shumicë serbe kanë “irrituar” Serbinë, gjë që ka ndikuar edhe tek serbët në veri.

Pakënaqësitë e tyre po i shprehin me bllokadat në pikat kufitare të cilat janë paralajmëruar të nisin të premten e 6 shtatorit.

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq i cili kishte paralajmëruar një gjë të tillë, kishte deklaruar se bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Ai paralajmëroi mos heqjen e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve, teksa tha se në këto bllokada nuk do të marrin pjesë serbët nga Kosova.

Është thënë se do të bllokohen pikat kufitare në Bërnjak, Jarinje, Mërdare, Dheu i Bardhë dhe Kullë.

Megjithatë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala është shprehur se nuk pret efekt të drejtpërdrejtë në cenimin e sigurisë brenda territorit të Kosovës.

“Në lidhje me protestën e lajmëruar nga ana e ashtu quajtur AQQM ( Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës ) nuk pres ndonjë efekt të drejtpërdrejt në cenimin e sigurisë brenda territorit të Kosovës me që kjo protestë është thirrur dhe do të mbahet në territorin e Serbisë nuk ka ndonjë rrezik akut nga ky veprim përpos që qytetarët , mallrat do të duhen që të barten në drejtim të pikave tjera kufitare që kufizohen me shtetin e Kosovës për lëvizje.”, tha ai.

Ai për Arbresh.info tha se protesta është në koordinim me “narko shtetin e Serbisë” pasi që siç tha ai, ajo po organizohet në kohën kur përdorimi i këtyre pikave kufitare është minimal.

“Ky veprim në bazë të kohës që shihet është në koordinim të plotë me narko shtetin e Serbisë sepse fluksi i qytetarëve që përdorin këto pika kufitare tani është shumë minimal dhe nuk do të këtë ndonjë efekt të drejtpërdrejt në bazën ekonomike të narko shteti sepse po të kishte ndodhur kjo në muajin gusht atëherë efekti do të ishte negative për bilancin e Serbisë prandaj e ka përzgjedhur si kohë optimale këtë periudhë”, thotë Shala.
Shala theksoi se institucionet kosovare duhet të marrin veprimet informuese për të minimizuar fluksin eventual.
“Institucionet tona duhet të ndërmarrin veprime të nevojshme informuese nëse ndodh një veprim i tillë për të minimizuar fluksin eventual në ato pika kufitare dhe të mos krijuar ndonjë tollovi në komunikacion eventual”, shprehet ai.

“Ndërsa kërkesa e shprehur në formën e qëndrimit që përmes këtyre protestave të nxitet që KFOR të marr veprime brenda territorit të Kosovës ku protestat është në një territor tjetër kjo gjë nuk do të ndodh assesi sepse nuk cenohet në as një forme mandati dhe misioni i KFOR në Kosovë nga ky veprim dhe organet e sigurisë të Republikës se Kosovës kanë të drejtë kushtetuese që të marrin dhe të kryejnë veprimet e tyre na të pjese pa u cenuar nga veprime subversive të narko shtetit të Serbisë.”, thekson eksperti Shala.

Arifi: S’ka rrezik për trazira

As profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi nuk pret trazira të mëdha.

Por në rast se kjo ndodh, Arifi thekson se kjo do të jetë direktivë e Serbisë për të radikalizuar kërkesat e tyre dhe qytetarët e veriut.

Ai mendon se perëndimi nuk do ta lejojë përshkallëzimin e situatës aq shumë situata sa që të avancohet njëra palë që dëshiron të krijojë rrëmujë në vendin tjetër.

“Trazirat varet se si i definojmë, protesta të qeta mund të ketë, trazira të dhunshme nëse ka në ndonjë pjesë të Kosovës apo veçanërisht në veri atëherë është drejtpërdrejtë direktivë e Republikës së Serbisë që për t’i radikalizuar kërkesat e tyre dhe për ti radikalizuar qytetarët e veriut të Kosovës por kjo do të jetë një politikë humbëse për vetë Serbinë nëse fillon të bëjë planifikime të tilla sepse trazirat nuk do t’i konvenojnë pikërisht qytetarëve serbë në veri të vendit sepse ata do të ishin më të atakuarit nga çdo element që do të mund të tejkalojnë situatën normale në atë pjesë të vendit, kështu që për momentin nuk pres trazira të mëdha, kjo krejt varet zakonisht se si do të sillet shteti serb me këtë çështje, por normalisht që një rol të madh e luan edhe faktori ndërkombëtar se sa ata do ta lejojnë shtetin serb të kriminalizohet në këtë pikë. Kjo është një pikëpyetje që nuk do të mund ta dimë paraprakisht, por nuk do mendoj se perëndimi do ta lejojë të përshkallëzohet aq shumë situata sa që të avancohet njëra palë që dëshiron të krijojë rrëmujë në vendin tjetër.”, thotë ai për Arbresh.info.

Arifi i quan “përralla për fëmijë” kërkesat e serbëve për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu.

Sipas tij, një gjë e tillë është e paarsyeshme, e pazbatueshme dhe e pajustifikueshme.

“Policia e Kosovës nuk tërhiqet nga veriu sepse Policia e Kosovës gjithmonë ka qenë në veri edhe para kësaj qeverie dhe do të jetë edhe pas kësaj qeverie, pra nuk lidhet me një qeveri por që Policia e Kosovës në veri i kryen detyrat e tyre ligjore edhe kushtetuese që i ka pikë.”, thekson ai.

“Protesta mund të ketë për pakënaqësi të ndryshme por jo bllokim të kufirit. Pra kjo është shumë e qartë, në asnjë vend normal nuk lejohet, ndoshta një orë, . ndonjë pakënaqësi por jo më shumë.”, thotë mes të tjerash profesori Arifi.

Në rast të zgjatjes së bllokadave me ditë, Arifi thekson se mund të ketë ndikim në jetën e serbëve të veriut por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Pra, kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve e veçanërisht të vetë serbëve në veri të Kosovës normalisht do të jetë një pengesë e madhe edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës po themi kushtimisht nëse bllokadat zgjasin më shumë orë apo më shumë ditë.”, shprehet profesori universitar.

Sipas tij, nëse Serbia e lejon bllokimin me ditë të tëra të pikave kufitare me Kosovën merr mbi vete një barrë shumë të rrezikshme që mund të tensionojë raportet Kosovë-Serbi por edhe gjithë rajonin.

Të mërkurën mbrëma, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka apeluar u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme