Google ADS

Paralajmërimi për bllokimin e pikave kufitare, Berisha i PDK-së: Do të shfaqen pasoja të rënda

16:59 | 5 Shtator 2024
E.H

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviç, ka paralajmëruar para pak ditësh se nga nesër (e premte), serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Hisen Berisha thotë se këto bllokada, nëse realizohen, kanë potencialin të krijojnë një situatë të rrezikshme, për qytetarët në veri dhe gjithë rajonin përreth.

“Deklarata e Kryetarit të Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, për organizimin e bllokadave në të gjitha pikat kufitare me Kosovën përbën një kërcënim serioz për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Këto bllokada, nëse realizohen, kanë potencialin të krijojnë një situatë të rrezikshme, jo vetëm për qytetarët në veri, por edhe për të gjithë rajonin përreth”, pohon Berisha.

Berisha thotë se do të shfaqen pasoja të rënda.

“Nëse kufiri bllokohet për ditë të tëra, do të shfaqen disa pasoja të rënda. Para së gjithash, do të ketë një ndikim të madh ekonomik, duke prekur parimin bazë të BE dhe Procesit të Berlinit për lëvizjen e lirë të njerëzve, për tregtinë dhe qarkullimin e mallrave, gjë që do të dëmtojë rëndë ekonominë qarkulluese, veçanërisht komunitetet në veri. Po ashtu, mund të krijohet një krizë humanitare, me mungesa të furnizimeve bazike për qytetarët e prekur nga bllokadat, më së tepërmi ata të komunitetit serb atje që ende shumë shërbime i kryejnë në qytetet e jugut të Serbisë, meqë kanë dhe prona andej, farefisin, prej nga edhe kanë ardhur si kolonë në shekullin e kaluar”, shprehet ai.

Deputeti i PDK-së nuk përjashton edhe shpërthimin e ndonjë dhune si më parë.

“Historia ka treguar se tensionet në veri të Kosovës mund të shpërthejnë shpejt në dhunë, që mund ta rëndojë edhe më tepër konfliktin e ngrirë midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe detyrimin në ndërhyrje të aktorëve ndërkombëtarë, për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Aq më tepër tani kur veç i kanë informacionet se do të cenohet pikërisht sfera e sigurisë për të cilën janë përgjegjës edhe me mandatin që ju jep rezoluta e KS/OKB-së”, thotë deputeti i PDK-së.

Tutje, ai thotë se skenari i paralajmëruar nga Rasha Rojeviq synon ta godasë diplomatikisht Kosovën, sipas tij, ky skenar do të përfshijë shfaqjen e grave dhe fëmijëve në barrikada, me pretendimin se nuk mund të jetojnë më në Kosovë.

“Skenari i paralajmëruar nga Kryetari i “Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës,” Rasha Rojeviq, për organizimin e bllokadave në të gjitha pikat kufitare me Kosovën, përbën një skenar të përgatitur mirë nga Serbia, që synon ta godasë diplomatikisht Kosovën dhe të paraqitet si viktimë në sytë e ndërkombëtarëve. Ky skenar do të përfshijë shfaqjen e grave dhe fëmijëve në barrikada, me pretendimin se represioni ndaj tyre është i madh dhe se nuk mund të jetojnë më në Kosovë. Por Kosova as nuk bën dhe as nuk tërhiqet para planeve destruktive e të penalizueshme të kriminelëve recidivistë, siç janë kërkesat e Rasha Rojeviqit dhe Listës Serbe”, shprehet Berisha.

Megjithatë, Berisha tregon nëse këto bllokada do të ndikojnë në ekonomi.

“Edhe pse bllokadat mund të zgjasin për ditë të tëra, Kosova nuk do të përballet me pasoja të mëdha ekonomike, pasi ka linja të tjera të furnizimit. Përkundrazi, bllokimi i rrugëve do të dëmtojë më shumë Serbinë, pasi ajo do të humbasë tregun e saj në Kosovë. Nga këndvështrimi politik, situata është më komplekse. Këto bllokada dhe veprime të tjera të ngjashme janë pjesë e një loje të koordinuar midis Vuçiçit dhe Albin Kurtit, që i shërben të dyve për të ruajtur popullaritetin e tyre nën emrin e nacionalizmit dhe patriotizmit patetik”, thotë ai.

Berisha në fund thotë se kjo është një strategji e mirë organizuar që u shërben interesave të liderëve politikë.

“Sa herë që Vuçiç përballet me presion të brendshëm, Kurti ndërmerr veprime në Mitrovicë që tërheqin vëmendjen e publikut serb. Në këtë rast, barrikadat në pikat kufitare do të shërbejnë për të larguar vëmendjen nga protestat kundër Vuçiçit në Serbi, ndërsa për Kurtin, situata do të përdoret për të mbuluar dështimet e tij, si mos hapja e urës në Mitrovicë, duke pretenduar se ka siguruar që nuk do të ketë më bllokime rrugësh dhe se ka arritur t’i largojë bllokadat në pikë kalime kufitare drejt Serbisë. Prandaj, situata aktuale nuk është vetëm një çështje tensioni lokal, por një strategji e mirë organizuar që u shërben interesave të liderëve politikë në të dyja anët. Ndonëse trazira të mëdha nuk janë të pritshme, kjo lojë politike është një rrezik i madh për stabilitetin afatgjatë dhe duhet të monitorohet nga afër nga të gjithë aktorët e përfshirë vendorë e ndërkombëtarë në veçanti”, përfundoi Berisha.

Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku u ka kërkuar mërgimtarëve që planifikojnë të udhëtojnë që t’i shmangin të gjitha pikëkalimet kufitare me Serbinë. /Erolinda Gashi/Arbresh.info/

Të ngjashme