Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Elmendin Rakës lidhur me akuzën për zjarrvënien në objektin e Gjykatës në Kaçanik.
Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.
Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Raka po ashtu i ndërpritet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme.
Gjykatësi Shyti në arsyetimin e këtij aktgjykimi tha se asnjëri nga dëshmitarët e dëgjuar nuk kanë arritur që ta identifikojnë të akuzuarin Raka nëse ishte ai i cili ka kryer veprën penale.
“Po ashtu, nga video-incizimi si prova kryesore që u administrua në këtë shqyrtim gjyqësor, nuk ka arritur që të identifikohet i pandehuri i cili ka mundur që ta kryejë veprën penale”, tha gjykatësi Shyti.
Gjithashtu, gjykatësi theksoi se asnjëra nga provat materiale që janë administruar nga Prokuroria Speciale, nuk kanë vërtetuar faktin kyç që i akuzuari Raka të ketë qenë në vendin e ngjarjes atë ditë kur ka ndodhur ngjarja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Andaj, sipas gjykatës këto kanë qenë provat kyçe që janë marrë për bazë, kështu që ka marrë aktgjykim lirues.
Shpenzimet e procedurës bien në barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës, kurse kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk kishte.
Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi, brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Paraprakisht, në seancën e mbajtur në të njëjtën ditë është dhënë fjala përfundimtare nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu dhe mbrojtësja e të akuzuarit Raka, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor, pasi që sipas saj nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe provave në shkresat e lëndës, është vërtetuar se i akuzuari Raka është kryerësi i veprës e cila i vihet në barrë.
Në anën tjetër, avokatja Gashi-Bytyqi gjatë elaborimit të fjalës së saj përfundimtare, tha se aktakuza e Prokurorisë Speciale jo që nuk ka bazë ligjore, por sipas saj ajo nuk e ka kaluar as nivelin e indicieve.
Ajo tha se në këtë rast nuk ka as prova direkte e as indirekte dhe e njëjta kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza.
Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Elmedin Raka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T.B., M.R,. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues, ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, më 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i mituri T.B,. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve, ku në secilën zyrë kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vënë zjarrin shisheve, me ç’rast korridorin dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T,. dhe M.R,. kanë bërë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes
Me këtë, i akuzuari Raka akuzohej se në bashkëkryerje me të miturit e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, të miturit e lartcekur janë duke u gjykuar në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...