Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për vrasjen e Premtim Gashit, më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar ekskluvizivsht nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se të pandehurit Korab Gashi, Valdrin Ahmeti dhe të pandehurit tjerë të panjohur, dyshohen se më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 në lokalin “From” dhe jashtë tij në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuara në mes të tani të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjeve të tyre- Gashi dhe Sekiraqa, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, fillimisht i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi të maskuar të pajisur me armë zjarri pa leje, në bashkëkryerje dhe me qëllim që të privojnë nga jeta tani të pandehurin Salih Sekiraqa dhe djalin e tij të mitur Sh.S., dhe të pandehurin Faton Abazi, hyjnë në lokalin e lartpërmendur, ku kishte edhe persona tjerë dhe me breshëri nga armë të gjata, gjuajnë në drejtim të të pandehurit Salih Sekiraqa, të miturit Sh.S., dhe të pandehurit Faton Abazi.
Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim, fillojnë tërheqjen nga brenda lokalit në rrugën “Gazmend Zajmi”, ku iu bashkohen edhe i pandehuri Valdrin Ademi dhe persona tjerë të dyshuar të panjohur dhe vazhdojnë përleshjen me të pandehurit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi, të cilëve iu bashkohet edhe i pandehuri Robert Llumnica dhe persona tjerë të panjohur.
Me këtë rast, thuhet se të pandehurve Salih, Faton dhe Robert, u shkaktojnë lëndime trupore, me çka menjëherë pas arritjes së policisë në vendngjarje, dërgohen për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e panjohur- dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota largohen nga vendi i ngjarjes dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore e epërme e lokalit.
Me këtë, në bashkëkryerje me personat tjerë të panjohur NN., dyshohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të kërkesës, thuhet se Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe të pandehurit tjerë të panjohur NN, dyshohen se pasi Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi fillojnë të tërhiqen nga lokali-kafiteria “From”, të dyshuarit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi, pas kalimit të rrezikut dhe pasojave të pësuara, me qëllim të privimit nga jeta të pandehurin Korab Gashi dhe tani të ndjerin Premtim Gashi, nga brendësia lokalit dhe jashtë tij në vendin ku ka pasur edhe persona të tjerë, fillojnë t’i gjuajnë me armë zjarri Korabin, tani të ndjerin Premtim dhe të pandehurin Valdrin, si dhe të pandehurit tjerë të panjohur që iu bashkohen këtyre të fundit.
Sipas Prokurorisë, përleshja e armatosur zhvendoset nga lokali “From” në rrugën “Gazmend Zajmi” dhe për pasojë të veprimeve të të dyshuarve Salih Sekiraqa, Faton Abazi, Valdrin Ademi, si dhe të dyshuarve tjerë të panjohur, privohet nga jeta Premtim Gashi.
Prokuroria thekson se tani i ndjeri Gashi ishte goditur me pesë plumba, vdekja e të cilit konfirmohet në vend të ngjarjes nga ekipet mjekësore.
Ndërsa, të dyshuarit Korab Gashi dhe Valdrin Ademi kanë marrë lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit dhe u dërguan për trajtim mjekësor në QKUK. Kurse, dy të dyshuarit tjerë të panjohur largohen përmes mjetit motorik me katër rrota në drejtim të pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi” dhe të tjerë nga pjesa anësore e epërme e lokalit “From”.
Me këtë në bashkëkryerje dhe me personat e panjohur NN, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas Dosjes së Prokurorisë, në kohë, vend dhe mënyrë si në pikën e parë të kërkesës, të pandehurit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe të pandehurit tjerë të panjohur NN, poseduan armët në kundërshtim me ligjin për armët, me anë të së cilave dyshohen se kanë kryer veprën penale si në pikën I të kërkesës. Armët janë sekuestruar në vendngjarje nga ana e Policisë.
Me këtë, secili veç e veç dyshohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, kërkesën për caktimin e paraburgimit për këta të dyshuar e ka bazuar mbi faktin se të njëjtit po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e gjatë AK-47, dy revole të cilat janë konfiskuar dhe një numër i madh i gëzhojave të zbrazura nga armët. Prokuroria thotë se ka siguruar video-incizime nga vendi i ngjarjes dhe foto-dokumentacion, ndërsa janë dëgjuar edhe dëshmitarët B.M., N.H., dhe V.J. Duke ditur peshën e veprës penale, sipas Prokurorisë ekziston rreziku real i ikjes së të dyshuarve, e kjo duke pasur parasysh veprimet inkriminuese të tyre.
Gjithashtu, kërkesën për paraburgim, Prokuroria e ka arsyetuar edhe me faktin se po të mbroheshin në liri, të dyshuarit mund të pengonin procedurën e hetimit duke ndihmuar në të dyshuarit tani të arrestuar dhe në të dyshuarit e panjohur, të cilët për momentin janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Po ashtu, thuhet se ata mund të ndikojnë në dëshmitarët që kanë dhënë deklarata në Polici dhe dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë.
Sipas Prokurorisë, është e rëndësishme të zbardhen veprimet e secilit të dyshuar. Ndërsa, ka shtuar se ekziston rreziku edhe në asgjësimin apo ndryshimin e ndonjë prove materiale e cila nuk është arritur të sigurohet për shkak të kompleksitetit të rastit.
Kërkesën për paraburgim, Prokuroria e ka mbështetur edhe me arsyetimin se plotësohen kushtet edhe duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, ku kemi një person të vrarë, lëndimet trupore të pësuara nga të gjithë të pandehurit, mënyrën e kryerjes së veprës penale ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale me përdorimin e armëve nga gjithë të dyshuarit, numrin e gëzhojave të zbrazura në vendin e ngjarjes, karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurve.
Kjo pasi sipas Prokurorisë, të pandehurit rezultojnë me raste të shumta penale të iniciuara për vepra të ndryshme penale, e të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo ta përfundojnë veprën e tentuar penale ose ta kryejnë veprën penale.
“Rreziku i përsëritjes së veprës penale është tejet i mundshëm dhe i besueshëm se mund të ndodh, për shkakun se në mes palëve të përfshira në veprat penale në këtë rast penal, apo familjarëve të tyre, më parë janë evidentuar incidente pvr të cilat janë iniciuar procedura penale, dhe duke pasur parasysh raportet ekzistuese mes tyre, bëjnë plotësisht të besueshëm mundësinë që të pandehurit mund të përsërisin veprën penale të Vrasjes së rëndë për të cilën dyshohet se kanë kryer”, thuhet në kërkesën e prokurorit Menduhi Kastrati.
Po ashtu, thuhet se me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penalo-juridike, është e nevojshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit, ngase masat e tjera janë të pamjaftueshme.
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?