Bashkimi Evropian (BE) e ka paralajmëruar Serbinë se mbajtja e lidhjeve me Moskën gjatë agresionit rus kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut, e as me procesin e anëtarësimit në të.
Ky reagim i Brukselit vjen pas një takimit të planifikuar të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF), i cili mbahet nga 3 deri më 6 shtator në Vladivostok të Rusisë.
“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës,” tha BE-ja më 3 shtator.
BE-ja “dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”.
Kabineti i Putinit tha se presidenti rus do të takohet me Vulin më 4 shtator. Po ashtu, Putini do të takohet në të njëjtën ditë edhe me kryeministrin e Malajzisë dhe zëvendëspresidentin e Kinës.
Duke iu përgjigjur pyetjes së REL-it për takimin e Vulinit me Putinin, kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se njoftimin për atë takim e ka parë në media.
Ai tha se “nuk është asgjë epokale e as aq e tmerrshme” që Vulini do të takohet me Putinin në Rusi.
“Ne nuk i kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar që dikush të takohet me përfaqësuesit e Federatës Ruse”, shtoi Vuçeviq gjatë një turneu në Novi Pazar, në Serbinë jugperëndimore.
Vuçeviq theksoi se Serbia nuk inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
“Ne votuam për të gjitha rezolutat që konfirmojnë integritetin ukrainas, por ne nuk heqim dorë nga miqësia jonë me Federatën Ruse, nuk vendosëm sanksione, e as nuk e dëbuam ambasadorin. Përkundrazi, ne kemi komunikim normal”, theksoi ai.
Ai kujtoi gjithashtu se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si lider i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ishte së fundmi në Moskë dhe u takua me Putinin.
“Kodi civil ka mbetur dëmi më i vogël”, Rrahmani: Ligji për ...
AUV: 42 raste me 264 krerë gjedhe të infektuara me tuberkulo...
Ish-burri i Drenusha Latifi, Atilla Kardesh futet në shtëpin...
Sa shumë fitojnë yjet e “Friends” nga seriali: Miliona çdo v...
Njerëzit sapo e kanë kuptuar se e kanë shqiptuar emrin Merce...
Korenica i bën thirrje Kurtit: S’bën me u mshef, le të lyp v...