Google ADS

Rrustem Tetaj dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

12:55 | 3 Shtator 2024
E.G

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 84-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Rrustem Tetaj, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmitari Rrustem Tetaj ka thënë se kur u bë ndryshimi i pozitave në mes Ramush Haradinajt dhe Tahir Zemajt, kishte ndodhur një tension në Zhabel të Dukagjinit. Ai ka thënë se e ka dëgjuar Hashim Thaçin në një shator me Tahir Zemajn, duke thënë që ‘shumë shpejt do ta kryej me ty’.

Tetaj ka thënë në atë takim dëgjohej një zë i pakëndshëm duke përshkruar zërin e Thaçit.

“Aty dëgjohej një zë i pakëndshëm, por ishim tanë dhe duhet ta konfirmoj se aty e kemi ni Hashim Thaçin t’u thanë se shumë shpejt me ty do ta kryej. E tash me kanë, qysh, nuk e di”, ka thënë Tetaj.

Ai, gjithashtu u pyet se çfarë do të thoshte me frazën se ‘ka dëgjuar zë të pakëndshëm’.

“E kam pas në mes të Tahirit dhe Hashim Thaçit në lidhje me postin e Komandantit të Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit. Zëri i tij ishte i nervozum”, ka theksuar Tetaj.

Përpara kësaj, gjatë dëshmisë, Tetaj shpjegoi se si erdhi situata deri tek ky tension në Zhabel.

Dëshmitari ka deklaruar se ka refuzuar që të shkojë vetë ai në Zhabel, por që sipas tij kishte insistuar Tahir Zemaj.

Në atë takim, sipas tij, ua kanë dhënë disa pliko në të cilat secili i ka parë detyrat e veta se në çfarë rangu ishin të caktuar e që kanë qenë të nënshkruara nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por pa emër.

Tetaj ka thënë se nga aty kanë lindur problemet kur kanë parë dokumentet pa emër komandanti dhe kanë refuzuar që t’i nënshkruajnë.

Në këtë takim, Tetaj ka deklaruar se Ramush Haradinaj e mori detyrën e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa Zemaj si zëvendës i tij.

Ndryshe, Tetaj ka thënë se ka pasur presion që mos të ekzistonte FARK-u. I pyetur se kush po e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha se ‘me emër më së shumti është cekur Hashim Thaçi’.

Dëshmitari ka thënë se Tahir Zemaj shpeshherë ka treguar se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e FARK-ut dhe fotografinë e Ibrahim Rugovës.

Dëshmitari Rrustem Tetaj duke folur për takimet me Hashim Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, ka thënë se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, ka theksuar ai.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Rrustem Tetaj ka deklaruar se me ish-Presidentin Hashim Thaçin është takuar tri herë gjatë kohës së luftës.

“Sa më kujtohet mua, kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemës që jam taku, nja dy herë që e kam taku Hashim Thaçin. Një herë e kam pa, s’kam pas kontakt shumë me ta. Dytën herë ka qenë në zyrën time dhe ka qenë edhe një person tjetër. Në rroba civile, nuk ka pas uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Po gjithqysh u kanë përpara, para të 21-it kur Tahir Zemaj është emëru komandant i Rrafshit të Dukagjinit”, ka thënë Tetaj.

Ndërsa më vonë, ai ka thënë se e kishte takuar Thaçin në Zhebel, afër Bardhaniqit. “Dy herë e kam pa në Prapaqan dhe njëherë jemi taku në Zhebel”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth dy ditë. Tri orë nga kjo kohë janë ndarë për pyetjet nga Prokuroria, ndërsa pesë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes./rtk/

Të ngjashme