Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 4 shtator në Vladivostok të Rusisë, njoftoi ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov.
Agjencia shtetërore e lajmeve Beta e citoi Ushakovin të ketë thënë se Vulini dhe Putini do të takohen në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF).
Ky forum do të mbahet nga 3 deri më 6 shtator në kampusin e Universitetit Federal të Lindjes së Largët të Rusisë në Vladivostok.
Vulin u takua me Yuri Ushakov, këshilltarin e presidentit Putin për punë të jashtme, para tri javëve gjatë një vizite zyrtare në Moskë.
Qeveria serbe kishte njoftuar asokohe se Vulini kishte nënvizuar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të sinqerta dhe më kuptimplota.
Më herët në qershor, Vulin u takua në Moskë me ministrin e Punëve të Brendshme të Rusisë, Vladimir Kolokoltsev, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Alexander Grushka.
Ajo ishte vizita e parë zyrtare e Vulinit në Rusi prej se u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë.
Vulin – ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës mbi dy vjet më parë, Vulin e ka vizituar Rusinë disa herë./rel
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën