Google ADS

6 pengjet e rrëmbyer në Izrael gjenden të vdekur në Gaza

08:45 | 1 Shtator 2024
E.G

Izraeli ka njoftuar se forcat e tij ushtarake kanë gjetur trupat e pajetë të 6 pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat u gjetën të shtunën (31 gusht) në një tunel nëntokësor në zonën Rafah.

Pengjet u identifikuan si Carmel Gat, Eden Yerushalmi, Hersh Goldberg-Polin, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Master Sgt Ori Danino, ndërsa IDF tha se ata ishin “vrarë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se të arrinim t’i shpëtonim”.

Në deklaratën e saj të dielën në mëngjes, IDF tha se trupat ishin rikthyer në territorin izraelit.

“Ata u morën të gjithë peng më 7 tetor 2023 dhe u vranë nga organizata terroriste Hamas në Rripin e Gazës. Familjet e tyre tashmë janë njoftuar”, tha IDF

 

Mes pengjeve të vrarë ishte edhe një shtetas amerikan, për të cilin reagoi edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili tha se ishte “i shkatërruar dhe i zemëruar” nga lajmi.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paprecedentë në Izraelin jugor më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Më shumë se 40,530 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit. Ndërmjetësuesit e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme