Vuçiq: Serbia nuk ka gjasa të anëtarësohet në BE në vitin 2028

20:08 | 31 Gusht 2024
R J

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se vendi i tij nuk ka gjasa të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2028, një afat i synuar nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë integrimin në bllok.

Ai i bëri komentet gjatë një diskutimi në kuadër të forumit Globsec në Pragë, duke ju kundërvënë Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili tha se vendi i tij, aktualisht vend anëtar i NATO-s, shpreson të integrohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.

Presidenti serb tha se nuk beson në një mundësi të tillë dhe sipas tij, anëtarësimi i cilitdo prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndodhë para vitit 2030.

Serbia po përpiqet të ruajë një pozicion drejtpeshimi midis aspiratave të saj për integrim në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Rusinë, e cila e mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008.

Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe e furnizon Kievin me municione artilerie, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës.

Dy ditë më parë Serbia arriti një marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve ushtarakë të tipit Rafale, në atë që u pa si një ndryshim në rrugën e bashkëpunimit të saj me Rusinë në fushën e mbrojtjes./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme