Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, u organizua tryezë dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, Komisionin Qeveritar per Persona te Zhdukur, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri i vendit, Albin Kurti potencoi se çdo ditë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës dhe zbulimit të së vërtetës për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, transmeton Arbresh.info
Në shënim të kësaj dite të rëndësishme, Kurti deklaroi se për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është funksionalizuar dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, e gjithashtu është miratuar Strategjia e parë në Republikën e Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.
Me këtë rast ai përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ICMP. Tutje shtoi se për adresim të krimeve të kryera gjatë luftës, vrasjeve dhe zhdukjeve me dhunë, është zhvilluar baza ligjore dhe janë rritur kapacitetet e institucioneve.
Më pas Kurti tregoi se këtë javë, pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga komisioni qeveritar, kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi.
“Ne vazhdojmë të mbështesim Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha institucionet e mekanizmat e angazhuar në këtë proces”, tha ai.
Në përkujtim të të gjithë atyre që ende na mungojnë në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministri nderoi të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë, teksa shtoi se Republika e Kosovës nuk do të ndalet derisa të zbardhet, derisa të dihet fati i tyre dhe vendndodhja e tyre.
“Duke nderuar sakrificën që na mundësoi të gëzojmë lirinë dhe shtetin, ne po ecim përpara në rrugën e drejtësisë dhe barazisë” ishin fjalët e Kurtit në përfundim të këtij organizimi./Arbresh.info
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...