Ministri Hasani mesazh Kosovës për urën e Ibrit: Diskutoni me ata që ju duan

12:46 | 29 Gusht 2024
A Z

“Motrat dhe vëllezërit tanë në Prishtinë, të gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë”.

Ky ishte mesazhi që ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani i dërgoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nga bashkëbisedimi i sotëm me gazetarët në Tiranë, raporton a2cnn.

Kur u pyet nëse ka pasur komunikim me qeverinë në Prishtinë lidhur me çështjen e hapjes së urës së Ibrit, Hasani tha se asnjë hap nuk duhet të ndërmerret pa konsultime dhe negociata me aleatët, përfshirë këtu Shqipërinë.

“Ne kemi qenë të qartë, gjithmonë konsekuentë me atë që kemi thënë. Për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova, ndaj gjithmonë i kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë. T’i diskutojnë, debatojnë dhe negociojnë me vendet dhe organizata që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur siç është sot, dhe këtu hyn dhe Shqipëria. Çdo punë e mirë bëhet duke u rakorduar me ata që e duan shumë Kosovën”, u përgjigj Hasani.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë është edhe kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së.

Në këtë konferencë, ministri Hasani foli edhe për Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024”.

I pyetur se pse Kosova nuk kishte asnjë faktor politik si përfaqësues, ai tha se lidhet me arsye shëndetësore.

“Është e rëndësishme që Tirana do të ketë një fokus për shqiptarët kudo ku ndodhen dhe këtë e ka pasur. Tirana ka pasur në qendër dhe në ditë të vështira situatën e shqiptarëve në rajon, duke filluar me Kosovën. Kombi jonë është Shqipëria dhe për këtë kemi mbështetjen e plotë të gjithë faktorëve shqiptarë kudo ku janë. Kjo drejtori, ky mekanizëm që ne po ndërtojmë, është i angazhuar me gjithë nevojat e shqiptarëve dhe në rastin e Kosovës ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, që do të ndihmojë kolegët në Prishtinë për ato sfida që kanë marrë”.

“Prishtina ka qenë e ftuar, ne i kemi pritur, për fat të keq të fund pushimeve dhe të një situate shëndetësore, përfaqësimi nuk ishte ai që prisnim, por do takoj ministren Gërvalla ditën e hënë, ka kërkuar takim në Slloveni dhe do vijojmë të diskutojmë ato çështje që kemi patur në agjendën tonë përpara një viti”.

“Ne kemi rënë dakord që Shqipëria të hapë ambasadën në Indonezi dhe Kosova në Malajzi. Në mënyrë që të mbulojmë që të gjithë atë zonë dhe mbi të gjitha do të shohim angazhimin e atyre personave në vendin tonë”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme