Google ADS

Kurti mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2024

12:03 | 29 Gusht 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZhRB 2024), organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Para të pranishmëve në këtë ngjarje, Kurti shprehu kënaqësinë që ishte sot në mesin e tyre, në ceremoninë e kësaj iniciative e cila përkrah bizneset vendore, sipërmarrësit e rinj, të rejat e të rinjtë të vendit tonë, për të ngritur dhe zhvilluar aktivitetet e tyre, përcjell Arbresh.info.

ZKM thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë sektorin privat, i cili është një faktor i rëndësishëm i punësimit dhe i rritjes ekonomike në vendin tonë.

“Krahasuar me vitin 2022, tash që po flasim në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35 për qind më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe me punësim të shtuar, krahasuar me para tri viteve në Kosovë është rritur punësimi për 20 për qind përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të sektorit privat. Vitin e kaluar, për zbatimin e masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht mbështetjes së bizneseve për qasje në financa, kemi ndarë 5.5 milionë euro për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Edhe bizneset ishin të përfshira në skemat e gjera të shpërndarjes së rritjes ekonomike, në mënyrë të barazpeshuar, tek të gjithë pa dallim, por edhe për t’i përkrahur në sfidat globale me të cilat po përballemi.” u shpreh kryeministri.

Në vijim tha se ndërmarrja e iniciativës së Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar, ka për qëllim zhvillimin socio-ekonomik të barabartë, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, e rritjes së bizneseve të reja e prodhuese.

“Sepse, teksa prodhojmë vetë, nxisim produktivitetin e rivitalizojmë prodhimet e bizneset tona, jo vetëm së brendshmi, por edhe për të eksportuar e depërtuar në tregje edhe më të mëdha e ndërkombëtare. Të inkurajojmë të rinjtë e të rejat, sipërmarrësit e rinj, bizneset e vogla e të mesme, për t’u rritur më tej e për të kontribuar pozitivisht në jetën ekonomike e në progresin shoqëror të vendit tonë.” shtoi Kurti

Përfituesve të programit, kryeministri iu uroi suksese në vijim, e punë të mirë e të mbarë në zbatimin e projekteve edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Nënshkrimi i kontratave u bë nga ana e Ministrit të MZhR-së, Fikrim Damka me përfitues nga shtatë rajonet zhvillimore./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme