Përdorimi i bojës zgjedhore hetohet për shkelje të mundshme të privatësisë

15:59 | 28 Gusht 2024
E.G

Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës (AIP) ka nisur një hetim për shkelje të mundshme të privatësisë, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i shënjuar votuesit me ngjyrë të dukshme, apo matrikuluese, gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.

Me rregulloren e miratuar më 21 qershor, KQZ-ja ka vendosur që, për herë të parë, në zgjedhjet e reja të përdoret kjo ngjyrë, e cila nuk largohet së paku 48 orë.

Ajo do t’u vendoset votuesve “në gishtin e madh të dorës së majtë”.

Në zgjedhjet e deritashme është përdorur sprej i padukshëm, i cili ka mundur të verifikohet vetëm me dritë ultravjollcë.

Në Kosovë, e drejta për të votuar është private.

“Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”, thuhet në pikën 2 të nenit 45 të Kushtetutës.

Grupe të shoqërisë civile janë shprehur të shqetësuara se praktika e re mund t’i ekspozojë publikisht votuesit, duke çuar potencialisht në stigmatizimin e tyre.

KQZ-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar këto shqetësime, por vendimin, më herët, ka thënë se e ka marrë për arsye teknike.

Mund të pasojnë masa

Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi thonë se pyetja nëse rregullorja e re e KQZ-së krijon mundësinë e ekspozimit publik të qytetarëve që e realizojnë ose jo të drejtën e tyre për të votuar, u ka shërbyer si sinjalizim për të nisur shqyrtimin e kësaj çështjeje.

“Pas shqyrtimit të plotë dhe në përputhje me gjetjet që do t’i kemi gjatë inspektimit, Agjencia do të marrë vendim, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thotë komisionarja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku.

Sipas saj, vendimi mund të përfshijë “rekomandime për ndryshimin e praktikave zgjedhore, masa për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve ose veprime të tjera, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet ligjore të Agjencisë”.

Sogojeva Dermaku nuk mund të specifikojë se kur mund të pritet epilogu i gjetjeve të AIP-it, por thotë se brenda ditësh.

“Shkelje e privatësisë”

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë reaguar shumë shpejt pas miratimit të rregullores së re, duke e cilësuar atë si “regres”.

Drejtori Ismet Kryeziu ka thënë se rregullorja, potencialisht, mund t’i cenojë të drejtat civile.

“Pse Kosova, pas shumë palë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet t’i vendosë këto praktika, të cilat kryesisht përdoren në vende si Afganistani, Nigeria, Iraku, Kongo etj. – vende të cilat kanë histori të paqëndrueshme politike dhe zgjedhore, shpesh të shënuara nga dhuna dhe mashtrimet”, ka shkruar atëkohë Kryeziu në Facebook.

Sipas tij, në shtetet e Ballkanit Perëndimor, e as në ato të Bashkimit Evropian, ku Kosova mëton të anëtarësohet, “përdorimi i ngjyrës matrikuluese nuk është praktikë”.

Kolegu i tij në KDI, Eugen Cakolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se shënjimi i votuesve me këtë ngjyrë, nuk i shërben integritetit të procesit zgjedhor.

Ai thotë se ngjyra matrikuluese, e cila mbetet e dukshme edhe pas procesit të votimit, paraqet cenim të privatësisë së qytetarëve.

“Qytetarët kanë të drejtë të votojnë, pa e ditur të tjerët se ata kanë votuar. Spreji i padukshëm ka mundësuar që një informacion të tillë ta kenë vetëm personat që janë të thirrur ta kenë një informacion të tillë – pra komisionarët, por jo i tërë publiku dhe i tërë lokaliteti ku mund të veprojnë këta qytetarë”, thotë Cakolli.

Këtë e mbështet edhe Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL, e cila angazhohet për fuqizimin e ndikimit qytetar në vendimmarrje.

“Ne mund të kemi stigma që mund të rriten në publik. Jo gjithmonë do të jetë e njëjta qasje për një votues, pasi që ai do të identifikohet përmes gishtërinjve – nëse janë me bojë ose jo. Kështu mund të hasim në stigma të ndryshme dhe mund të preket konfidencialiteti i votuesve gjatë procesit”, thotë Bunjaku.

Sipas përfaqësuesve të KDI-së dhe FOL-it, vendimi i KQZ-së për shënjimin e votuesve me ngjyrë matrikulare është marrë pa konsultim publik.

KQZ-ja hesht

Nga KQZ-ja nuk i janë përgjigjur as pyetjes tjetër nëse ka pasur debat publik apo konsultim me shoqërinë civile lidhur me përcaktimin e kushteve në rregulloren zgjedhore.

Në mbledhjen e Kryesisë së KQZ-së, të mbajtur më 21 qershor, anëtari i këtij komisioni, Arianit Elshani, ka thënë se praktika e ngjyrës matrikuluese ekziston dhe se është më ekonomike se përdorimi i sprejit të padukshëm dhe i llambave me dritë ultravjollcë, të cilat funksionojnë me bateri.

“Duke e ditur gjithë këtë operacion, ne e kemi reduktuar vetëm në ngjyrën matrikuluese. Është shenjë që dallohet, pra është në formë markeri. Kjo gjë praktikohet në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Vërehet edhe nga largësia, me sy të lirë, vërehet nëse një person ka votuar ose nuk ka votuar”, ka thënë Elshani atëkohë.

Megjithatë, shumica e vendeve në Evropë kanë të miratuara sisteme të avancuara të regjistrimit të votuesve.

Zgjedhjet e para me praktikën e re në Kosovë, pritet të jenë ato parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Praktika e shënjimit të votuesve me sprej në gishtin tregues ka qenë në fuqi në çdo palë zgjedhje që nga paslufta dhe ato janë vlerësuar, kryesisht, si të rregullta dhe pa probleme.

Të ngjashme