Mbetjet e rrezikshme/ Balluku: Autoriteti portual i Durrësit s’ka lidhje me transportin e tyre, çështjen t’ia lëmë drejtësisë

12:26 | 28 Gusht 2024
R J

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi se Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me transportin e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës. Në një prononcim, pas mbledhjes së qeverisë, Balluku tha se për këtë duhet të flasë drejtësia.

“Do t’i bëja thirrje medias që të tregohen të kujdesshme tek analizojnë këtë çështje. Do ta konsideroja të komplikuar nga ana juridike. Afektojnë imazhin e Shqipërisë, do të ishte e udhës që të prisnim vendimet që do të dalin proceset që kanë nisur për këtë çështje mjedisore, që afekton imazhin e Shqipërisë.

Çështja e mbetjeve dhe porti i Durrësit janë dy gjëra të ndryshme sepse kam vënë re që përfshihen ministritë apo Autoriteti portual. Transporti i mbetjeve të rrezikshme ka filluar në ’98, kjo është për t’ju dhënë fakte që ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin ministria e Mjedisit ua ka bërë me dije. Nuk është asgjë e re, ka edhe tranzitim dhe eksport të mbetjeve që janë të koduara në bazë të kodeve evropiane.

Ka qenë procedurë normale deri kur mori këtë përmasë, por duhet thënë se Autoriteti Portual s’ka asnjë lidhje me këtë proces. Autoriteti Portual me koncesionarin që ka kryer këtë transport janë dy entitete konkurrente. Do të ndalja këtu informacionin për këtë çështje pasi qeveria dhe instancat janë angazhuar që ditën e parë në bashkëpunim me OLAF, dhe do të kërkoja që secili t’i jepte kohën e duhur drejtësisë dhe më pas të flasim. Të mos e kthejmë këtë çështje procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Balluku./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme