Drejtuesi i ‘Telegram-it’ mbetet në paraburgim në Francë

21:45 | 27 Gusht 2024
A B

Pavel Durov, drejtuesi i aplikacionit për shpërndarjen e mesazheve Telegram, mund të mbahet në paraburgim deri të mërkurën. Prokurorët francezë njoftuan se kanë siguruar kohë shtesë për ta marrë në pyetje. Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus, aleat i Presidentit Vladimir Putin ka thënë se dyshon se Uashingtoni ka ndikuar për ndalimin e zotit Durov.

Miliardieri i lindur në Rusi është arrestuar në Francë gjatë fundjavës në kuadër të hetimit mbi krimet që kanë lidhje me shpërndarjen e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve, trafikimit të drogës dhe mashtrimeve që bëhen me transaksione në ‘Telegram’, sipas prokurorëve francezë.

Të martën, zëdhënësi i prokurorit publik tha se vendimi për mbajtjen në paraburgim të zotit Durov është shtyrë për 48 orë të hënën.

Aplikacioni për shpërndarjen e mesazheve, që analistët e përshkruajnë si një fushëbetejë virtuale, është shfrytëzuar masivisht nga të dyja palët e përfshira në luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Ajo shfrytëzohet shumë edhe nga kanalet që shpërndajnë propagandë.

Pa ofruar dëshmi, udhëheqësi i Dumës, dhomës së ulët të parlamentit rus, Vyacheslav Volodin tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Francës, po bëjnë përpjekje që të ushtrojnë kontroll mbi ‘Telegramin’.

“Telegrami është një nga platformat e pakta dhe të njëjtën kohë më të mëdhatë të internetit mbi të cilat Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndikim”, shkroi zoti Volodin përmes një postimi.

“Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve presidenciale amerikane, është e rëndësishme për (Presidentin Joe) Biden që ta fusë ‘Telegramin’ nën kontroll”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente lidhur me arrestimin e zotit Durov.

Me rreth 1 miliardë përdorues, ‘Telegrami’ e prezanton veten si parajsë të lirisë së shprehjes dhe për disidentët politikë. Ai shfrytëzohet më së shumti në Rusi, Ukrainë dhe ish republikat e Bashkimit Sovjetik.

Ndërsa miliona përdorues të aplikacionit e pëlqejnë atë për shkak se është i lehtë për tu përdorur, ai shfrytëzohet gjerësisht nga përkrahës të së djathtës së skajshme, nga ata që propagandojnë kundër vaksinimit, si dhe nga lëvizjet konspiracioniste.

Presidenti francez Emmanuel Macron, që njihet si përdorues i shpeshtë i aplikacionit tha se arrestimi nuk ka të bëjë me çështje politike.

Pasi Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë në vitin 2022, ‘Telegrami’ u bë burimi kryesor i informacionit nga të dyja palët e përfshira në konflikt. Shpesh publikimet aty janë të pafiltruara dhe me përpjekje mashtrimi./VOA/

Të ngjashme