Thirrja për subvencione në efiçiencë, ja kush mund të përfitojë

21:39 | 27 Gusht 2024
E.G

Sot është hapur thirrja për aplikime për subvencionim të 1,300 familjeve që investojnë në izolim të shtëpive, kulmeve, apo ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme.

Qytetarë të shumtë kanë shprehur interesim për të aplikuar.

Isa Fetahu, i cili banon në Kodrën e Trimave në Prishtinë, shpreson që izolimin e shtëpisë ta bëjë sivjet.

E për këtë, ai thotë se do të aplikojë për subvencione, në kuadër të projektit për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë.

Fetahu tregon se vetëm në dhjetor të 2023-s kishte paguar 450 euro për energji elektrike.

Andaj edhe shpreson që me izolimin e shtëpisë, do të shpenzojnë më pak.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar të martën se thirrja për aplikim është hapur në orën 09:00.

Sipas saj, qytetarët do të mund të kompensohen deri në 5,500 euro për investimet e bëra.

Për të përfituar nga këto subvencione, aplikuesit duhet të jetë qytetarë të Kosovës, duhet të jenë të regjistruar në platformën eKosova, shtëpia duhet të jetë e banueshme, sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike, duhet të jetë 250 kë në 21 nga 24 muajt e fundit. Ndërsa duhet të plotësohen edhe kriteret teknike.

Procedurat për aplikim janë këto:

Fillimisht aplikuesit duhet të kyçen në platformën E-Kosova, të zgjedhin opsionin shërbime, pastaj grante dhe subvencione. Ata duhet të klikojnë tek opsioni thirrje për aplikim të masave të efiçiencës në shtëpitë individuale, e pas kësaj të fillojnë me plotësimin e të dhënave që kërkohen. Në rast se zgjidhen përfitues të subvencioneve, qytetarët duhet të paguajnë fillimisht vetë për investimet që do t`i bëjnë në shtëpitë e tyre. 45% e shumës do t’u kompensohet më vonë”.

Njohës të ekonomisë thonë se ministria duhet të bashkëpunojë ngushtë me inspektoratin e tregut në mënyrë që qytetarët të mos dëmtohen.

“Në bazë të thirrjeve të kaluara nuk ka papasur një koordinim sa e kam vërejtur. Një hulumtim që e kam bërë vet nuk ka pasur koordinim mes Inspektoratit dhe ministrisë së Tregtisë dhe asaj të Ekonomisë në mënyrë që të kontrollohen çmimet”, ka thënë Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

Për të aplikuar për subvencionim, qytetarët duhet të angazhojnë një auditor të energjisë, i cili përpilon raportin për gjendjen aktuale të shtëpisë.

Të ngjashme