Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se kur ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka bërë listat e atyre që nuk janë të mirëpritur në Serbi.
“Listat i kam bërë unë si ministër i Policisë dhe drejtor i BIA-s, bazuar në ligj dhe ndërgjegje. Më vjen keq që nuk u jam përkushtuar më shumë, sepse po shoh se sa njerëz të poshtër janë harruar. [Presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq nuk është pyetur dhe nuk është dashur të pyetet për këtë”, tha Vulin përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e partisë së tij, Lëvizja Socialiste, transmeton Shërbimi i Ballkanit i REL.
Komentet e tij vijnë në vazhdën e polemikave në opinionin e Serbisë, pasi këngëtarja kroate, Severina Vuçkoviq, u ndalua për disa orë në kufi me Serbinë, për shkak se ishte në “listën e kontrollit”.
Vulin tha se në lista janë persona që kanë kënduar ose folur për Serbinë në një kontekst të keq.
“Në listat që u kam dorëzuar organeve kompetente, ka pasur shtetas të huaj, që kanë ardhur në Serbi për të marrë pjesë në protesta të dhunshme, por edhe narko-bosë – nga Sarajeva deri në Prishtinë e Shkup”, tha Vulin.
Ai shtoi se në lista për “ndalim të detyrueshëm dhe kontroll të shtuar”, ka përfshirë edhe deputetë nga Kuvendi i Malit të Zi, të cilët kanë votuar për Serbinë si gjenocidiale.
Këngëtarja Severina Vuçkoviq u lirua pas disa orësh në kufi, më 25 gusht, por pastaj nuk hyri në Serbi.
“Më pyetën se çfarë mendoj për Srebrenicën, për [operacionin] Stuhia, përse i kam mbështetur demonstratat kundër nxjerrjes së litiumit…”, tha mes tjerash Vuçkoviq pas incidentit.
Ajo shtoi se e do Serbinë, ku protestohet kundër nxjerrjes së litiumit, por se nuk do të shkojë atje derisa në krye të saj të jetë Aleksandar Vuçiq.
Pas reagimit të opozitës në Serbi, organizatave joqeveritare, aktivistëve dhe artistëve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, thanë se Vuçkoviq nuk është arrestuar, por “ndaluar për kontroll” dhe se listat në bazë të të cilave është ndaluar këngëtarja, “ndoshta do të shlyhen në ditët në vazhdim”.
Vulin ishte ministër i Brendshëm i Serbisë nga tetori i vitit 2020 deri në tetor të vitit 2022.
Si drejtor i BIA-s shërbeu nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023.
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka