Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, aktivitetet e ditës së sotme i përmbylli me pjesëmarrjen e tij në akademinë solemne të organizuar me rastin e shënimit të ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, e cila u mbajt në ambientet e Qendrës “Bogdani Polis”, në Prishtinë.
Në shënimin e 114-të vjetorit të ditëlindjes së saj, kryeministri Kurti tha se vajza e vogël Anjeze, shqiptarja katolike nga Shkupi, u bë si nënë për të varfëritë, duke shtuar se me emrin e shenjtores mbrojtëse të misionarëve, motra Anjeze u bë gradualisht Nëna Terezë, ndërsa vite më vonë themeloi bashkësinë fetare Misionarët e Bamirësisë, me të cilën e ushtroi aktivizmin dhe angazhimin e saj për bamirësi ndaj të varfërve, përcjell Arbresh.info.
Në këtë akademi solemne të mbajtur në nderim të jetës, kontributit dhe angazhimit të saj, kryeministri Kurti lartësoi figurën e shquar të Nënës Terezë, për të cilën kujtoi se në moshën 69 vjeçare ajo u laureua me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë shqiptarja e parë që e fiton cilëndo kategori të këtij çmimi dhe një nga të paktat gra që është laureuar me këtë çmim për paqe, ku me këtë rast këtë vit bëhen plot 45 vite kur Nëna Terezë u laureua me Çmimin Nobel për Paqe.
Duke kujtuar figurën e saj kryeministri Kurti fjalën e tij e përmbylli duke cituar Nënë Terezën nga fjalimi i saj i Nobelit, 45 vite më parë me fjalët “Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse e kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit”.
“Le ta bëjmë shtëpinë tonë, vendin tonë dhe Kosovën tonë një shtëpi, një atdhe dhe një shtet ku njerëzit mund të jetojnë në mirëqenie dhe barazi, në siguri dhe me drejtësi, dhe ku me ndershmëri mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre”, ishin fjalët e kryeministrit Kurti në përfundim të fjalës së tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Dodë Gjergji, Ipeshk i Ipeshkvisë së Kosovës,
Monsinjor Zef Gashi,
I nderuar vëlla nga Kalabria, arbëreshi Guissepe De Mikeli,
Të nderuar ministra të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hajrulla Çeku dhe Rozeta Hajdari,
Motra të nderit,
Mysafirë nga Ukraina,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Ngjashëm sikur vitin e kaluar, pra sot një vit, edhe sivjet, u bëmë bashkë për ta kujtuar Nënë Terezen, në datën e ditëlindjes së saj, më 26 gusht. 114 vite më parë, më 27 gusht 1910, kur prifti Don Zef Rama e pagëzoi vajzën e sapolindur me emrin Anjeze, një ditë pasi që ajo kishte lindur, as ai që i dha emër dhe as prindërit e saj që e sollën në jetë, nuk kishin si ta dinin që para duarsh e mbanin dikë që do të bëhej e njohur botërisht për njerëzinë e saj.
Anjeze Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, atëbotë kryeqendër e Vilajetit të Kosovës nën Perandorinë Osmane, që ishte në vitet e fundit të ekzistencës së saj. U rrit në një familje patriotike shqiptare në vitet e luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, si një vajzë e mbarë dhe si një besimtare e devotshme katolike.
Më 1928, Anjeze Bojaxhiu, e bija tashmë 18 vjeçare e Kolës së ndjerë dhe e Dranes, e braktisi vendlindjen e saj, duke u larguar drejt Irlandës, ku u bashkua me Motrat e Loretos dhe u bë njëra prej tyre. Në Irlandë, anglishtja u bë gjuha e saj e komunikimit për tërë jetën. Më 1929, ajo shkoi në Indi, vend ky me të cilin u lidh përgjithmonë. Në shkollën e Shën Terezës dha mësim dhe po aty, më 1931 mori emrin Tereza, sipas Shën Terezës së Lisjës.
Bashkë me emrin e shenjtores mbrojtëse të misionarëve, motra Anjeze u bë gradualisht Nëna Terezë, veçanërisht pasi që më 1950 e themeloi bashkësinë fetare Misionarët e Bamirësisë, me të cilën e ushtroi aktivizmin dhe angazhimin e saj për bamirësi ndaj të varfërve. Kështu, vajza e vogël Anjeze, shqiptarja katolike nga Shkupi, u bë si nënë për të varfëritë, Nëna Terezë.
Në moshën 69 vjeçare, Nëna Terezë u laureua me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë shqiptarja e parë e cila fiton cilëndo kategori të këtij çmimi dhe një nga të paktat gra që është laureuar me këtë çmim për paqe. Sivjet po bëhen 45 vite prej kur Nëna Terezë u laureua me Çmimin Nobel për Paqe, e në fjalimin e saj gjatë pranimit të këtij çmimi, ndër të tjera tha edhe këtë një paragraf tjetër prej asaj se çfarë lexuam më herët: “Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse e kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.”
Duke kujtuar Nënën Terezë në ditëlindjen e saj të 114-të me këtë citat nga fjalimi i saj i Nobelit, 45 vite më pas, le ta lexojmë këtë paragraf edhe si një shpallje, pra që “dashuria fillon në shtëpi”, dhe kësisoj, duke i bërë secili prej nesh detyrat tona të shtëpisë sa më mirë që dimë dhe mundemi, le ta bëjmë shtëpinë tonë, vendin tonë dhe Kosovën tonë një shtëpi, një atdhe dhe një shtet ku njerëzit mund të jetojnë në mirëqenie dhe barazi, në siguri dhe me drejtësi, dhe ku me ndershmëri mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre paqësore.
Shumë gjatë respektohet Nëna Tereze, por le të fillojmë nga ato të cilat tashmë janë shkruar e thënë, dhe me këtë rast më lejoni që ta falënderoj nga zemra për punën e tij të jashtëzakonshme dhe kontributin e paçmueshëm, Don Lush Gjergji.
Duke i kujtuar fjalët dhe porositë e Nënë Terezës, me urimet që këto ditë të manifestimeve për ditëlindjen e saj, për Nobelin për Paqe të marrë prej saj dhe të shenjtërimit të saj, të shkojnë sa më mbarë.
Ju falemnderit!/Arbresh.info/
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...
“Komorani dhe Tirana”, Vullneti ngacmon Drilonin për Sarën
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...