Begaj pret Tanja Fajonin: Integrimi në BE, objektiv i përbashkët i rajonit

17:32 | 26 Gusht 2024
D.H

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka pritur sot Tanja Fajon, zëvendëskryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë.

Gjatë bisedës mes Begajt dhe Fajonit janë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe është theksuar rëndësia e ruajtjes së frymës bazuar në interesat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane.

Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen që Sllovenia ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe politikat e zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Begaj dhe Fajon kanë theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërsa ka shtuar se në Shqipëri ky vizion ka nxitur transformimin e vendit përmes ecurisë së reformave.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv i përbashkët i rajonit”, – u shpreh Presidenti i Republikës, – duke theksuar se në Shqipëri ky vizion ka nxitur transformimin përmes ecurisë së reformave. “Ai, gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nismave të tjera me rëndësi për zhvillimin e Ballkanit”, – u shpreh Presidenti Begaj gjatë takimit me ministren e Jashtme sllovene, Tanja Fajon.

Më herët në konferencën e përbashkët me kryediplomatin shqiptar Igli Hasani, Fajon tha se Sllovenia është pjesë e shumë projekteve zhvillimore në Shqipëri, ndërsa u ndal te asistenca teknike e ofruar ndaj Shqipërisë për integrimin europian.

Fajon garantoi se Sllovenia do jetë mbështetëse e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Sllovenia, pjesë e shumë projekteve zhvillimore në Shqipëri. Kemi ofruar asistencë teknike për integrimin në BE. Shqipëria ka marrë 1.3 mln euro gjatë 5 viteve të fundit dhe jam e kënaqur që sot do kem mundësinë për të vizituar qendrën e teknologjisë dhe më tej laboratorët e posaçme që janë krijuar. Sllovenia është një mbështetëse e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe dëshirojmë t’iu shohim anëtare të BE-së.

Kemi shprehur miratimin për arritjet e deritanishme në zbatimin e gjithë kritereve.

Shpresoj që Shqipëria të ketë mundësinë për ta hapur grupin e parë dhe shpresojmë që në shtator të kemi përgjigje pozitive për parafinancimin e gjithë reformave të nevojshme.

Sllovenia, mbështetëse e sigurt për integrimin në BE, është nevojë strategjike për të pasur vendin tuaj në rajon. Shpresoj që BE të jetë gati për t’iu pritur maksimumi në 2030”, tha ajo, ndërsa shtoi se “Oficerët tanë punojnë në mjaft fusha të rëndësishme që lidhen me sigurinë e autoriteteve dhe kanë zhvilluar mjaft operacione të rëndësishme në kufirin me Greqinë”./rtsh.al/

Të ngjashme