Kryeministri, Albin Kurti, mirëpriti mëngjesin e sotëm bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Ky seminar është themeluar më 1974 dhe këtë vit shënon 50-vjetorin e tij, teksa edicioni i 42-të me radhë, ka mbledhur kësaj here rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta dhe albanologë nga e gjithë bota.
Kryeministri Kurti me këtë rast tha se është i nderuar nga kjo vizitë e studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, ndërsa i falënderoi ata për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar përmes pjesëmarrjes në këtë seminar.
Ai shtoi se gjurmët e punës së studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare vërehen gjithandej, qoftë tek njerëzit të cilët punojnë dhe lëvrojnë gjuhën dhe letërsinë tonë, por gjithashtu edhe te veprat të cilat lexohen e botohen. Ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e popullit tonë, për të cilat shprehu se nuk mund të ndahen apo mësohen veçmas njëra nga tjetra. U diskutua edhe për raportin e përdorimit të gjuhës me zhvillimin e teknologjisë, e sidomos në lidhje me inteligjencën artificiale, shanset dhe rreziqet përkatëse.
Qeveria përmes MAShTI-t e ka mbështetur organizimin e këtij seminari, e këtë vit si rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës, si dhe do të vijojë të përkrahë iniciativa të tjera të cilat shërbejnë për studimin, njohjen dhe zbërthimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë sonë.
Sivjet në këtë ngjarje të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt./Arbresh.info/
Osmani: Vepra e prof. Repishtit dëshmi e guximit për lirinë ...
Zbulohet memoriali i daljes së parë publike të UÇK-së
“O sa mirë me qenë shqiptar!”- Banorët sjellin atmosferë pat...
Shkencëtarët në Peru zbulojnë një fosil krokodili 12 milionë...
Arrestohet një person në Prishtinë, kërkohej për vrasje në t...
Kështu e festojnë 28 nëntorin mërgimtaret në Gjermani