Në një përpjekje për të reduktuar ndotjen dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për riciklimin, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në shkurt të këtij viti ka publikuar thirrjen për themelimin e Administratorit për Sistemin e Rimbursimit të Depozitave, i cili do t’i marrë nën menaxhim mbeturinat e plastikës, qelqit dhe aluminit.
Ky sistem inovativ do tu ofrojë qytetarëve të Kosovës mundësinë për të marrë mbrapsht një depozitë monetare për çdo ambalazh të riciklueshëm që do kthejnë.
Megjithatë, kjo çështje ende ka mbetur në fazën e përzgjedhjes së Administratorit.
Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Arbresh.info.
Sipas tyre faza e përzgjedhjes së Administratorit pritet të përfundojë në fund të dhjetorit të vitit 2024.
“Lidhur me pyetjet e tuja ju njoftojmë se jemi në fazën e përzgjedhjes së Administratorit, e cila pritet të përfundoj në fund të dhjetorit 2024. Prandaj në këtë fazë të punës nuk mund të përgjigjemi në pyetjet e tjera. Jemi në dispozicion pas miratimit të Administratorit”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.
Raka: Vendim i mirë, por i vonuar
Në anën tjetër aktivisti i grupit për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit, Valon Raka për Arbresh.info e ka cilësuar Sistemin e Rimbursimit të Depozitave si një nismë të vonuar, por shumë të nevojshme për Kosovën.
Sipas tij, kjo nismë përveç që zvogëlon sasinë e mbeturinave ndikon edhe në sensibilizimin e qytetarëve.
“Përfitimet janë të mëdha dhe kjo është një nismë e mirë e cila është dashur të fillojë shumë kohë më parë. Një sasi e madhe e depozitave që mund të ri përdoren dhe të riciklohen do të hyjnë në konceptin tanimë të njohur të ekonomisë qarkore dhe ne do t’i bashkangjitemi shteteve që këtë koncept e aplikojnë tanimë me sukses vite me radhë. Përveç që zvogëlohet sasia e mbeturinave në njëfarë mënyre ndikon edhe në sensibilizimin e qytetarit se mbeturinat e kanë një kosto si monetare por edhe kostoja më e madhe e cila është kostoja mjedisore. Me këto veprime qytetari edhe do ta kupton se e ka përgjegjësinë e kthimit të mbetjeve në burim por edhe se nuk duhet hedhur ambalazhi sepse i kushton të gjithëve. Marrë në përgjithësi një shumicë e madhe mbeturinave janë të ambalazhit i cili mund të riciklohet dhe të përdoret për shumë produkte të tjera e kjo ndikon direkt në zvogëlimin e ruajtjeve të burimeve natyrore. Më pak mbeturina në lumenj e në deponi, kjo e ulë edhe koston e transportit dhe marrjes me këto depozita dhe ruan mjedisin”, tha Raka.
Sipas tij, mungesa e kompanive serioze në këtë drejtim mund të ndikojë në suksesin e këtij angazhimi.
“Përzgjedhja e kompanive serioze që do të furnizojnë me këto makina për kthimin e depozitave është një sfidë në vete. Deri më tani në Kosovë nuk kemi një përvojë të tillë dhe shpresojmë se do të kemi një sërë kompanish që janë serioze në këtë aspekt që ky angazhim të jetë i suksesshëm. Implementimi i kthimit të depozitave në fillim do të jetë i vështirë pasi që ende ne si qytetarë nuk e kemi vetëdijen e duhur që të pranojmë si normë një koncept të tillë. Derisa kjo të bëhet një standard qytetar, shpresojmë se do t’i kemi mekanizmat e duhur të implementimit të suksesshëm të këtij koncepti të ri për ne. Problematikë në vete është kontrollimi i tërë procesit dhe ky proces nuk duhet të jetë i pjesshëm, por gjithëpërfshirës. Shumë projekte në të kaluarën kanë qenë projekte të mira por nuk ka pasur ndonjë vazhdimësi. Kjo iniciativë duhet të jetë një normë e përhershme në Kosovë e jo vetëm një nismë e mirë që çalon si shumë nisma të tjera”, pohon Raka.
Ai apelon për një kampanjë të gjerë mediale për të sensibilizuar qytetarët dhe për të garantuar suksesin e kësaj nisme.
“Natyrisht që secili projekt apo angazhim kërkon edhe sensibilizim adekuat dhe konkret që ky projekt të ketë sukses. Një kampanjë mediale sensibilizuese dhe informuese me të gjithë palët e interesit kishte me qenë ide e mirë të implementohet që në fillimin e implementimit të sistemit të rikthimit të depozitave. Sistemi i rikthimit të depozitave është një lloj iniciative për konsumatorin për të rikthyer ambalazhin e përdorur, por edhe një sistem kontrolli i rikthimit të ambalazhit. Ky sistem definitivisht do të rritë ndërgjegjësimin sepse preket direkt xhepi i qytetarit”, përfundon Raka.
Ndryshe, sipas Ministrisë së Mjedisit, çmimi për të gjitha shishet dhe ambalazhet nga 250 mililitra deri në dy litra, është menduar të jetë pesë ose dhjetë centë./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...