Rrezikohen qytetarët, zjarrfikësit intervenojnë në objektin e shkollës së parë shqipe në Prishtinë

14:08 | 24 Gusht 2024
K.B

Objektet e braktisura në qytetin tonë paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve, kështu thotë drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica.

Kjo pasi sot në mëngjes Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit pati një ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetareve.

Sipas Fushticës, mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve.

Ai ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Kryeqytet.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët. Secili nga ne mund të japë një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen e këtyre pasurive të çmuara që e pasurojnë identitetin tonë dhe historinë tonë të përbashkët”, ka shkruar Fushtica në Facebook.

Ai ka shtuar se ndërtesat e braktisura janë një problem në rritje në Kryeqytet dhe përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë dhe shëndetin publik. /Arbresh.info/

Të ngjashme