Si e ndryshoi hartën e Europës ura më e lartë në botë?

21:13 | 23 Gusht 2024
A B

E shtrirë në një peizazh përrallor, ajo është pa diskutim një prej urave më të bukura në botë. Shpesh e mbështjellë nga mjegulla, aq sa të duket sikur po kalon mes reve, është aq e famshme sa që ka një qendër vizitorësh të veten dhe njerëzit planifikojnë udhëtime turistike vetëm e vetëm që të kalojnë mbi të. Madje, ura mund të shihet lehtësisht edhe nga hapësira.

Bëhet fjalë për “Millau Viaduct”, shembulli i përsosur i bashkimit të inxhinierisë me artin. E ngritur mbi grykën Tarn në Francën e jugut, e gjatë 2460 metra, Millau Viaduct është ura më e lartë në botë, plot 336,4 metra.

Por këto shifra nuk mjaftojnë për të përmbledhur madhështinë e saj, shkruan A2 CNN.

Ndryshe nga ura të tjera të famshme, që zakonisht lidhin dy pika të së njëjtës lartësi, Millau Viaduct luhatet nëpër luginë teksa toka poshtë këmbëve të saj merr forma të ndryshme.

Shtatë kalatat e saj kanë lartësi të ndryshme, duke nisur nga 78 e deri në 245 metra lartësi, secila e llogaritur me përpikëri milimetrike për ta niveluar urën në përsosmëri. Ato përforcohen nga shtatë shtylla çeliku, secila 87 metra e lartë, të kapura me nga 11 kabuj nga secila anë. E gjithë kjo mban rrugën – 4,2 metra e trashë dhe me peshë 36 mijë tonë –  tërësisht të qëndrueshme.

Por përveç se një vepër e precizonit të lartë, ura është gjithashtu e bukur. Edhe pse është ngritur në një zonë të mbrojtur, ura vetëm sa e amplifikon bukurinë e saj.

Sipas David Knight, drejtor i dizajnit dhe inxhinierisë në kompaninë Cacke Industries, thotë se ura është “një prej mrekullive të botës moderne” dhe “mrekulli inxhinierike”, raporton A2 CNN.

Ata që jetojnë në luginën poshtë saj shohin lart me adhurim, ata që kalojnë anash saj në një prej autostradave kryesore që lidh jugun me veriun e Francës. Por si ndodhi që kjo mrekulli e botës moderne të ndërtohet në mes të Francës. Pse u deshën dy dekada për ta planifikuar, para se të hapej për kalim në dhjetor 2004? Dhe si arriti kjo urë ta ndryshojë hartën e Europës?

Sfidat e ndërtimit

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është gjeografia. Masivi Qendror është një zonë e madhe malore që ndahet nga lugina dhe gryka të thepisura, që zënë afërsisht 15% të sipërfaqes totale të Francës. I kufizuar nga Alpet në lindje, është një prej zonave më të vështira për të udhëtuar për këdo që kërkon të përshkojë Francën nga veriu në jug, apo për këdo që dëshiron të udhëtojë nga veriu i Europës për në Spanjë.

Kaq i rëndësishëm është ky rrugëkalim, por gjithashtu aq i vështirë, saqë u deshën dy dekada për ta planifikuar e ngritur në këmbë, të paktën sipas Michel Virlogeux, inxhinierit që drejtoi punimet që nga nisja e tyre, në vitin 1987. “Problemi i parë nuk ishte se ura duhej ndërtuar, por ku do të kalonte ajo”, thotë ai për CNN.

Të ngjashme