Ukrainasit po i shohin me skepticizëm pretendimet e fundit se Kievi mund të ketë lidhje me sulmet ndaj tubacioneve të gazsjellësit ‘Nord Stream’ më 2022. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, akuzat kanë rritur shqetësime mbi marrëdhëniet e Ukrainës me aleatët perëndimorë.
Sulmi ndaj gazsjellësit Nord Stream në shtator të vitit 2022 ngjalli shpresat tek shumë ukrainas se ky incident do të dëmtonte planet e Rusisë për luftë.
Tubacionet transportonin gaz natyror përmes Detit Baltik, nga Rusia drejt Evropës Perëndimore.
Ato u dëmtuan pas një serie shpërthimesh nënujore. Askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin.
Një banore e Kievit thotë se sulmet e detyruan Evropën të largohet nga Rusia dhe të gjejë burime të tjera energjie.
“Ndoshta ishte për të mirën tonë. Sepse nxiti pavarësinë e partnerëve tanë nga Rusia sa i përket furnizimit me gaz”, thotë zonja Yevheniia.
Në fillim të muajit, prokurorët polakë konfirmuan se Gjermania kishte lëshuar një urdhërarrest për një shtetas ukrainas që jetonte në Poloni, lidhur me shpërthimin në gazjellësin “Nord Stream”. Prokurorët polakë thanë se i dyshuari, një zhytës i identifikuar si “Volodymyr Z”, është larguar nga vendi.
Po këtë muaj gazeta Wall Street Journal raportoi se Ukraina qëndron pas sulmit, një pretendim që Kievi e ka mohuar vazhdimisht.
Një banor i kryeqytetit ukranias shpreh shqetësimin se këto pretendime mund të ndikojnë mbi marrëdhëniet e Kievit me aleatët perëndimorë.
“Natyrisht që është e nevojshme të ndërtohen marrëdhënie normale me partnerët, sepse varemi nga ta. Prandaj, nuk do të nxitoja të arrija në ndonjë përfundim bazuar në informacionet e pakta që kemi”, thotë zoti Serhii.
Eksperti ndërkombëtar i energjisë dhe sigurisë me bazë në Kiev, Mykhailo Honchar thotë se nuk pret ndryshime të mëdha në marrëdhëniet e Ukrainës me Perëndimin.
“Siç mund ta shohim, kjo padyshim i ndërlikon marrëdhëniet, por në një mënyrë apo tjetër, ndihma për Ukrainën nuk është ndalur dhe ky nuk është faktor përcaktues”, tha ai.
Zoti Honchar thotë se shumë ukrainas kanë dyshime mbi akuzat.
“Ka skepticizëm, sepse një operacion special si ky, dhe i ndërlikuar, nuk mund të bëhet nga një grup zhytësish amatorë”, thotë zoti Honchar.
“Pretendimet kanë për qëllim bllokimin e financimit dhe mbështetjes nga jashtë, për të destabilizuar dhe komprometuar Ukrainën”, thotë Natalia, banore e Kievit.
“Është shpifje kundër Ukrainës. Si gjithmonë, po bëjnë gjithçka për të diskredituar udhëheqësit tanë ushtarakë dhe politikë”, thotë Serhii, banor i Kievit.
Rusia dhe Perëndimi kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet.
Pasi Gjermania lëshoi urdhërarrestin për shtetasin ukrainas, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se hetimi nuk ka asnjë ndikim në mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën dhe se nuk ndryshon faktin se “Rusia po bën një luftë të paligjshme agresioni kundër Ukrainës”./VOA/
Parashikimi i moti në Shqipëri
Anisa e kallë atmosferën me lëvizje sensuale
Përhapen protestat kundër kandidatit pro-rus për president t...
KQZ sot mban mbledhje
Gjermania po harton një listë objektesh që mund të kthehen n...
Kumbaro ndan pamje nga Tepelena e hijeshuar për Festa Kombët...