Një kërkesë zyrtare për rritjen e fondeve për nevojat e mbrojtjes juridike të krerëve të UÇK-së, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, iu ka shkuar më 12 gusht 2024 nga Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.
Bordi i Fondacionit përmes kësaj letre i ka treguar krerëve të institucioneve se vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike që është bërë përmes Udhëzimit Administrativ MD-NR.01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD – Nr.08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore nga Dhomat e Specializuara, ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij.
Në mungesë të mjeteve financiare, Fondacioni ka treguar se jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaji.
“Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtynte vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar. Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.
Fondacioni për ish-presidentin Hashim Thaçi konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivisht në garancionet që derivojnë prej saj, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kufizimi. Po ashtu, sipas këtij Fondacioni, kjo do të mundësonte edhe realizimin efektiv të të drejtës për një proces të rregullt (nga neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe neni 31 i Kushtetutës), element konstituiv i të cilës është edhe zbatimi i parimit të “barazisë së armëve”, që nënkupton vënien në ekuilibër të drejtë të palëve në procedurë.
Pamundësia financiare për ta mbrojtur në mënyrë efikase çështjen para Dhomave të Specializuara, jo vetëm për ish-presidentin Thaçi, por edhe cilindo person të akuzuar e vendosë në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila ka buxhet pakrahasimisht më të madh për kryerjen e funksioneve të saj.
Duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë z. Thaçi, pa paragjykuar procesin gjyqësor, i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, sipas Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre nuk është thjeshtë dhe vetëm e karakterit personal, por mbi të gjitha, është një betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së, si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës.
Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instancë të fundit i shërben vetëm drejtësisë, respektivisht mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së përballë tendencave për të vendosur paralele midis aktivitetit çlirimtar të kësaj organizate dhe krimeve të pashembullta të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Serbisë, para dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë./rtk/
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...