Google ADS

Performanca e Stacionit policor të Prishtinës – Qendër, IPK rekomandon intensifikimin e kontrolleve në Dhomën e dëshmive

14:51 | 22 Gusht 2024
R J

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Prishtinës – Qendër”.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se inspektimi është realizuar duke u bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta (2024) dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Prishtinës – Qendër, në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Prishtinës.

“Inspektimi ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse Stacioni është duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e këtij Stacioni.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ – administrativ”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të Raportit, IPK ka dhënë 13 rekomandime.

“E këto rekomandime kanë të bëjnë me nevojën e përshpejtimit të procesit të ri-strukturimit të Stacionit dhe ri-sistemimin e personelit, pajisjen me sprej/jelek anti-plumb/radiolidhje, përmbushjen e kuotës së orëve në trajnimet e brendshme, përfshirjen më të gjerë të zyrtarëve në ri-certifikim dhe trajnime profesionale, analizimin dhe identifikimin e faktorëve që mund të shtyjnë kohën e përgjithshme të reagimit, përmirësimin e vazhdueshëm të shkallës së realizimit të urdhëresave, dokumentimin e vizitave tek personat e kërkuar me urdhëresa, respektimin e afateve për lëshimin e vërtetimeve për të kaluarën kriminale, respektimin e hierarkisë gjatë procedimit të kallëzimeve.

IPK po ashtu rekomandon intensifikimin e kontrolleve në Dhomën e dëshmive, ushtrimin e kontrolleve mbi përdorimin e automjeteve dhe sanimin e vështirësive lidhur me funksionimin e pajisjeve të kontraktuara (fotokopjeve)”, vijon tutje njoftimi.

Të ngjashme