Biden bisedon në telefon me Netanyahun për armëpushimin në Gazë

23:03 | 21 Gusht 2024
A B

Presidenti Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e pengjeve, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Biseda telefonike vjen pas vizitës në Lindjen e Mesme të shefit të diplomacisë amerikane, Antony Blinken, që përfundoi të martën pa një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Sekretari Blinken dhe ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari i kanë varur shpresat e tyre tek një propozim amerikan që synon ngushtimin e hendeqeve midis dy palëve në luftën 10-mujore në Gazë.

“Presidenti Biden foli me Kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar lidhur me armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve si dhe përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet rajonale”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Në telefonatën me udhëheqësin izraelit mori pjesë edhe Nënpresidentja Kamala Harris, e cila do të pranojë zyrtarisht në kuvendin e demokratëve të enjten emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 5 nëntorit. Deri tani nuk ka detaje të tjera mbi telefonatën.

Sipas komenteve të një zyrtari amerikan përpara se të zhvillohej telefonata, pritej që Presidenti Biden të ushtronte trysni ndaj Kryeministrit Netanyahu për të zbutur një kërkesë të re izraelite për mbajtjen e trupave përgjatë një korridori tokësor mes Egjiptit dhe Gazës. Presidenti Biden ndodhet në Kaliforni për pushime me familjen në një fermë prej rreth 3500 hektarësh.

Arritja e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë ka përparësi kryesore për Presidentin Biden. Një zyrtar i lartë amerikan tha të premten se bisedimet janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, diçka që ka qenë jashtëzakonisht e pamundur.

Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, përfshirë nga Korridori Filadelfi, një rrip toke 14.5 kilometra i gjatë mes Egjiptit dhe Gazës.

Izraeli synon të mbajë kontrollin e korridorit që e pushtoi në fund të majit, pasi shkatërroi dhjetëra tunele poshtë tij, për të cilat thotë se kishin shërbyer për të furnizuar me armë grupet militante në Gazë./VOA/

Të ngjashme