MD: Avokati i Veselit ka përfituar mbi 4 milionë euro – largimi i tij nuk lidhet me financat

22:20 | 21 Gusht 2024
E.G

Ministria e Drejtësisë përmes një reagimi ka demantuar lajmet rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas ministrisë, deri më sot janë paguar një shumë totale prej 26 milionë 179 mijë e 562 euro për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim, shkruan Arbresh.info.

“Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Tutje, në reagim thuhet se pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta.

MD ka komentuar edhe largimin e avokatit Ben Emerson nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli duke thënë se “Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por pagesa e ulët nuk është një prej tyre.”

Ministria thekson se avokati Ben Emerson ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë 4 milionë e 19 mijë e 724 euro e nëntëdhjetë e një cent.

“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent).”, thuhet në njoftim.

“Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale. “, thuhet tutje në reagim.

“Për më tepër, Ministria e Drejtësisë me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe është e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi.”, thuhet tutje./Arbresh.info/

Ndryshe, Gjykata Speciale sot ka njoftaur se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvednit, Kadri Veseli.

Në vendim thuhet se Veseli dhe Emmerson kanë konfirmuar se janë pajtuar për ndërprerje të marrëdhënies avokat-klient bazuar në “një prishje të parevokueshme në marrëdhënien avokat-klient”./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

“Prishje e parevokueshme” – kjo është arsyeja pse Veseli e largoi Emmersonin

Të ngjashme