6100 qytetarë nga komuniteti serb, kanë aplikuar nga janari deri (sot) më 21 gusht 2024 për konvertim të patentë shoferëve nga ato të strukturave ilegale të Serbisë në patentë shofer të Republikës së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur për Arbresh.info, kryeshefi i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj.
“Deri më sot kanë aplikuar mbi 6100 qytetarë, domethënë prej datës që ka filluar, do të vazhdojë dhe dy ditë, dhe kërkesat e qytetarëve, janë duke vazhduar dhe këto dy ditë dhe përfundon”, thotë Camaj.
Ai bën të ditur se procesi ka shkuar mirë, pasi procedurat sipas tij, kanë qenë të lehtësuara.
“Procesi ka shku mirë, se procedurat kanë qenë të lehtësuara, qytetarët serbë është dashtë të kenë vetëm patentë shoferin e strukturave ilegale dhe të kenë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës dhe janë pajisur me dokumente me patentë shoferë, qytetarët serbë iu kanë përgjigjur aplikimit dhe i kanë konvertu patentë shoferët, më shumë se sa që kemi planifiku ne”, shprehet ai.
Përfitimi i qytetarëve serbë nga ky proces, Camaj thotë se iu mundëson atyre të qarkullojnë lirshëm në tërë territorin e Kosovës.
“Ne e dimë se pasi që i konvertuan targat, automjeteve iu mundësuan të kalojnë në targa RKS, dhe qytetarët serbë iu deshtën të prezantojnë patentë shoferë të strukturave ilegale, ne e pamë të arsyeshme dhe ministria vendosi që të nxjerrë vendim dhe të ia mundësojë qytetarëve të cilët kanë patentë ilegale t’i konvertojnë në legale, dhe të qarkullojnë lirshëm nëpër tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Pas përfundimit të këtij procesi të konvertimit të patentëve, Camaj thotë se qytetarët të cilët nuk i kanë konvertuar ende patentë shoferët, policia do t’i konsiderojë si pa patentë valide.
Ndërsa, sa i përket qytetarëve të cilët kanë pasur patentët shoferët të konfiskuar nga policia, Camaj thekson se edhe pas afatit të skadimit, munden t’i marrin patentë shoferët.
“Pas kësaj date, unë mendoj që të gjithë qytetarët që hasin policia në komunikacion, i konsiderojnë si qytetarë pa patentë të vozitjes, dhe do ti trajtojnë sipas ligjeve në fuqi,
Ne atyre i kemi mundësuar që të paraqiten, të aplikojnë për patentë shoferë, dhe iu kemi mundësu që pas afatit të skadimit munden me i marrë patentë shoferët e Republikës së Kosovës”, thekson ai.
Qytetarët e Komunës së Leposaviqit, deri më sot kanë aplikuar gjithsej 1866 qytetarë.
“Sipas komunave, komunat veriore, por Komuna e Leposaviqit ka shifër më të madhe, në komunën e Leposaviqit deri më sot kanë aplikuar 1866 qytetarë”, thotë.
Ndryshe, procesi i konvertimit përfundon të premten dhe qytetarët serb kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë mundësi, në mënyrë që t’i ikin gjobave nga Policia.
Procesi i konvertimit të patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat jo legale serbe, në patentë shoferë të Kosovës, ka filluar më 10 maj.
“Mbi 10 mijë serbë janë pajisur me pasaporta dhe letërnjoftime të Kosovës”
Sa i përket çështjes se pajisjes së qytetarëve serbë me pasaporta të Republikës së Kosovës, deri më sot janë pajisur 10,528 qytetarë serbë.
1423 qytetarë serbë nga komuna e Leposaviqit janë pajisur me pasaporta të RKS-së, 1414 qytetarë serbë nga komuna e Zubin Potok-ut, 1195 qytetarë serbë nga komuna e Zveçanit, dhe 6496 qytetarë serbë nga Mitrovica Veriore.
Kështu thotë ekskluzivisht për Arbresh.info, kryeshefi i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj.
Ndërsa, sa i përket çështjes se pajisjes së qytetarëve serbë me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, deri më tani në katër komunat veriore, janë pajisur 50,260 qytetarë.
Nga kjo shifër, 20,668 qytetarë serbë nga Leposaviqi janë pajisur me letërnjoftime, 6420 qytetarë serbë nga Zubin Potoku, 6529 nga Zveçani dhe 16,643 qytetarë serbë nga Mitrovica Veriore.
“Qytetarët serbë pas liberalizimit të vizave e kanë shprehur interesimin që të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës, në katër komunat veriore me pasaporta është 10,528 qytetarë që kanë pasaportë të Republikës së Kosovës, ndërsa me letërnjoftime janë 50,260 qytetarë në katër komunat veriore, pothuajse qytetarët vetëm janë të pajisur me dokumente, pasi dokumenti bazë është letërnjoftimi, pasaporta zakonisht shifrat janë më të vogla, por qytetarët po vazhdojnë të pajisen me dokumente dhe të paraqesin kërkesa, dhe të integrohen në Republikën e Kosovës”, shprehet Camaj./Arbresh.info/ Rita Jakupi/
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...