Google ADS

Opozita kërkon koordinim për urën e Ibrit

20:33 | 20 Gusht 2024
E.G

Sa i takon hapjes së urës së Ibrit, edhe opozita ka vazhduar ta theksojë rëndësinë e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë. Një javë më parë, është publikuar raporti fillestar, sipas të cilit ura mbi Ibër është e qëndrueshme, ndërkohë që ende nuk ka një datë kur kjo urë mund të hapet për qarkullim të automjeteve.

“As nuk do t’i befasojmë aleatët tanë evropianë e amerikanë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti mbrëmë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, teksa foli për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër, për çka tha se kurrë nuk ka pasur më shumë konsultim e koordinim.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se ka rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë derisa Brukseli kërkon që për hapjen e urës Kosova të diskutojë me Serbinë në kuadër të dialogut.

Nga opozita kanë deklaruar se koordinimi me aleatët ndërkombëtarë për këtë çështje është i domosdoshëm.

“Kosova kur është koordinuar me aleatët ka korrur fitore e suksese shumë më të mëdha sesa hapja e një ure e cila edhe ashtu është e hapur për njerëz, mund të lëvizin, qarkullimi është I mbyllur vetëm për automjete. Kjo është një betejë shumë e vogël, shumë simbolike të cilën jam e bindur që nëse kryeministri tregohet I matur dhe koordinohet me aleatët do të mund të arrihet shpejt”, tha Vlora Çitaku nga PDK.

“Me e pru punën që me të thanë KFOR-i s’muj kalon në urë, nuk është një sukses për Kosovën. Më shumë i besoj ushtarit amerikan në veri se Albin Kurtit, se Sveçlës, se Elbert Krasniqit që shkojnë e bëjnë syreta përditë. Po i besoj Policisë së Kosovës, ushtrisë së Kosovës, ata janë bashkëluftëtarë të mi, plot prej tyre, por nuk i besoj Kurtit”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Një javë më parë është publikuar raporti fillestar sipas të cilit, ura mbi Ibër është e qëndrueshme ndërkohë që ende nuk ka një datë kur kjo urë mund të hapet për qarkullim të automjeteve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme