“Dhashë shpirtin për Amerikën”- Fjalimi i Biden: Zgjedhja e Kamalës, vendimi i duhur

16:11 | 20 Gusht 2024
A B

Nuk ishte fjalimi që Joe Biden donte të mbante. Të paktën, jo këtë vit dhe jo në këto rrethana. Por nëse është dikush që e di se sa shpejt rrethanat mund të ndryshojnë, ai është padyshim Presidenti amerikan, jeta personale dhe profesionale e të cilit është karakterizuar nga tragjedi dhe fatkeqësi.

Duke folur përpara një salle gjigante të mbushur me njerëz në natën e parë të Konventës Kombëtare Demokratike të mbajtur në Çikago, Biden bëri një mbrojtje të fortë të presidencës së tij, duke prekur tema për të cilat ai loboi gjatë fushatës elektorale të 2020-s dhe sërish këtë vit përpara se të braktiste përpjekjet për rizgjedhje në mes të korrikut, pak javë pas një performance katastrofike në debatin me Donald Trump.

“Si shumë prej jush, unë i dhashë zemrën dhe shpirtin këtij kombi”, deklaroi Biden në fjalimin e tij që zgjati rreth 1 orë dhe që u prit me ovacione dhe thirrjet “faleminderit, Joe” nga publiku.

Biden hyri në skenë pasi u prezantua nga vajza e tij Ashley dhe bashkëshortja Jill, e cila tha se vendimin për të braktisur garën presidenciale kreu i shtetit e kishte marrë nga thellësia e shpirtit.

Pasi përqafoi të bijën, Biden fshiu lotët me një shami. Ai preku zemrën e tij dhe qëndroi drejt duke dhuruar buzëqeshje, teksa turma e duartrokiste.

Pavarësisht se duhet të fokusohej tek vendi i tij në histori, presidenti e kaloi fjalimin duke vlerësuar zëvendësen e tij, gruan që ai shpreson se do ta pasojë në Shtëpinë e Bardhë.

“Zgjedhja e Kamalës ishte vendimi im i parë që mora kur u bëra i nominuar dhe ishte gjithashtu vendimi më i mirë gjatë gjithë karrierës sime. Ajo është e fortë, me eksperiencë dhe integritet”, tha Biden, i cili nuk la pa komentuar rivalin Donald Trump.

“Trump është një gënjeshtar, një dështak dhe një kriminel i dënuar, që është përkulur përpara Putin. Ndërsa Amerika është e begatë dhe fitimtare. Nuk ka vend në botë që nuk mendon se nuk duhet të jetë Amerika që ta udhëheqë”, shtoi Biden./euronews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme