Google ADS

Gjermania do të kursejë tek ndihmat për Ukrainën, do të përdorë pasuritë e ngrira ruse

12:36 | 20 Gusht 2024
R J

Në vend të buxhetit federal qeveria gjermane do të përdorë për ndihmën për Ukrainën përfitimet e kapitalit nga pasuritë e ngrira ruse.

Tingëlloi si shok për Ukrainën dhe ata që duan ta mbështesin pa asnjë kufizim Kievin. Qeveria gjermane do të ndërpresë ndihmat financiare nga buxheti federal për Ukrainën në fund të vitit të ardhshëm dhe në vend të kësaj synon t’i marrë nga një burim ndërkombëtar mjetet për Ukrainën. Arsye për këtë është gjendja e vështirë e buxhetit gjerman. Qeveria gjermane e koalicionit të socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve ka probleme me shpërndarjen e të ardhurave shtetërore, kur ekonomia po lëkundet. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, FDP i shkroi një letër ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, SPD dhe asaj të Jashtme, Annalena Baerbock, Të Gjelbrit ku kërkon që “plane të reja” me detyrim pagese lejohet të fillohen vetëm nëse “financimi është i siguruar”. E ky nuk duket se është i sigurtë.

Qeveria federale ka planifikuar katër miliardë euro për Ukrainën për vitin 2025. Kjo shumë është pothuajse gjysma e 7.5 miliardë eurove krahasuar me këtë vit. Pas vitit 2025, me sa duket nuk ka më para të tjera të planifikuara për Ukrainën nga buxheti federal.

Më pas paratë e ndihmës duhet të vijnë nga kreditë, siç ra dakord G7, grupi i shtatë vendeve më të rëndësishme të industrializuara perëndimore, në samitin e tyre në Itali në qershor. Deri në fund të vitit, rreth 50 miliardë euro duhet të mblidhen – nga “fonde shtesë”, siç thuhet në deklaratë, jo si zëvendësim për grantet kombëtare, siç duket se po e parashikon qeveria federale. Këto kredi do të paguhen, ndër të tjera, përmes të ardhurave të ardhshme të interesit nga asetet e ngrira ruse. Por deri më tani është e paqartë nëse dhe nëse po, kur do të rrjedhin të ardhura të tilla dhe sa të larta do të ishin atëherë. Negociatat ndërkombëtare janë në vazhdim – me një rezultat të pasigurt.

Ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksii Makeiev e paralajmëron me urgjencë qeverinë gjermane ndaj shkurtimit të mbështetjes financiare për vendin e tij. “Kursimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën do të thotë të rrezikosh sigurinë e Evropës,” shkroi ai në X. “Kjo do të ishte fatale dhe duhet të parandalohet. Mjetet janë aty, është çështje vullneti politik.”

Ka edhe një breshëri kritikash nga brenda Gjermanisë. Përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare, CDU/CSU konservatore, akuzojnë qeverinë federale se po e braktis Ukrainën. Kjo parti opozitare është pro përdorimit të aseteve ruse, por jo si zëvendësim i burimeve buxhetore gjermane, por si mjete shtesë.

Madje zëra kritikë vijnë nga brenda koalicionit qeverisës. Michael Roth (SPD), kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Bundestag, tha se Gjermania nuk duhet ta bëjë mbështetjen e saj të varur nga situata buxhetore; Sipas Roth, mbështetja gjermane është veçanërisht e rëndësishme tani me ofensivën e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut. Kreu i Partisë së Gjelbër, Omid Nouripour tha në intervistën e verës për ARD: “Ky nuk është një sinjal i mirë, aspak i mirë për Ukrainën dhe aspak i mirë për shtetet tona partnere, të cilat janë të gjitha të përfshira.”

Edhe Marie-Agnes Strack-Zimmermann nga FDP, një nga mbështetëset më të zjarrta të ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën në Bundestag dhe tani kryetare e Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Evropian e ka këtë qëndrim. Por ajo bën përgjegjës edhe partnerët evropianë. Në platformën X ajo shkruan se ndihma për Ukrainën duhet të rritet. “Por kjo është e mundur vetëm së bashku me partnerët tanë evropianë, nga të cilët ne gjithashtu kërkojmë më shumë angazhim se më parë.”

Frika nga zgjedhjet në lande

Arsyeja pse qeveria dëshiron të shkurtojë ndihmën gjermane për Ukrainën nuk është ndoshta vetëm situata e tensionuar buxhetore. Në shtator, zhvillohen zgjedhje në tre lande federale në Gjermaninë lindore, Saksoni, Tyringji dhe Brandenburg. Sondazhet tregojnë rezultate të mira për partinë populiste të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) si dhe për Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW), e cila u nda nga Partia e Majtë. Si AfD ashtu edhe BSW duan t’i japin fund ndihmës për Ukrainën dhe mbrojnë riafrimin me Rusinë.

Edhe nëse zgjedhjet në lande nuk kanë të bëjnë zyrtarisht me çështje të politikës së jashtme, kjo temë po luan një rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore. Edhe kryeministri sakson i CDU, Michael Kretschmer, po bën thirrje për një reduktim të mbështetjes gjermane për Ukrainën – në kundërshtim me politikën e partisë CDU

Kurse politikanja e majtë, Sahra Wagenknecht jo vetëm që do të anulonte ndihmën me armë, por madje bëri thirrje për zhdëmtim nga Ukraina për hedhjen në erë të gazsjellësit, Nord Stream. Prokurorët federalë kërkojnë me një urdhër arrest një ukrainas, i cili dyshohet se është përfshirë në shkatërrimin e tubacionit të Detit Baltik nga Rusia në Gjermani në vitin 2022. Sipas një raporti në Wall Street Journal, Presidenti Zelensky kishte informacione për sulmin. Megjithatë, asgjë nuk është vërtetuar. Qeveria ukrainase i hodhi poshtë informacionet e artikullit.

Debat në Bundestag

Pas shqetësimeve e debatit për ndihmën për Ukrainën, qeveria gjermane tani po përpiqet të kufizojë dëmin: “Fjala e kancelarit ende qëndron se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme dhe se askush, as presidenti rus, nuk mund të shpresojë se ne do të heqim dorë”, tha zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Büchner. Por ai nuk e mohoi se po shqyrtohet një zhvendosje e mjeteve të ndihmës për Ukrainën nga buxheti federal tek burimet ndërkombëtare. /DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme