“Të vetëdijshëm për konkurrencën, por të pa zmbrapsur për rikthim në Supërligën e Kosovës”- flet drejtori sportiv i Drenicës

11:31 | 20 Gusht 2024
D.H

Njëra ndër skuadrat më me traditë në futbollin kosovar, KF Drenica, shpreson se ky sezon të jetë i fundit, që ky ekip garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Qëllimi i vetëm i skuadrës nga Skenderaj, është rikthimi në Superligën e Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Me një super ri-organizim, një kryesi të re, po ashtu dhe disa donatorë të rinj, skuadra e Drenicës ka nisur sezonin e ri me të vetmin qëllim, inkuadrimin në Superligën e Kosovës.

Drejtori i ri sportiv i klubit Drenica, Fisnik Lushtaku, i cili e njeh shumë mirë klubin kuqezinjtë, pasi në të kaluarën ka qenë edhe lojtar i klubit, gjithashtu ka drejtuar ekipin e grup-moshave U-17, në një intervistë për Arbresh.info, ka treguar zhvillimet dhe qëllimet që ka ky ekip përgjatë sezonit.

“Qëllimi i donatorëve është krijimi i një kryesie stabile, të qëndrueshme dhe afatgjatë, gjë që është e mundur duke pasur parasysh emrat e tyre lënë të kuptohet se medoemos e duan sportin dhe dëshirojnë të jenë në sport (futboll), pasi që kanë qenë edhe më herët pjesë e tij. Kthimi i lojtarëve kyç në ekip të cilët kanë qenë pjesë e klubit edhe më herët dhe përforcimet e bëra, lë të kuptohet se qëllimi kryesor i klubit, donatorëve dhe i gjithë qytetit është kthimi në Superligë”, thotë fillimisht Lushtaku.

Një rrugë e vështirë i pret kuqezinjtë sa i përket inkuadrimit në Ligë, pasi ndodhen në grupin A të Ligës së Parë, aty ku ndodhen edhe shumë skuadra të forta dhe me cilësi siç janë: Trepça, Trepça ’89, Vëllaznimi, Liria e Besa e Pejës, skuadër e sapo formuar, por me një organizim fantastik.

Lushtaku është i vetëdijshëm për konkurrencën dhe luftën e ashpër që do kenë me ekipet që gjenden në këtë grup, por Drenicën e sheh si favorite.

“Grupi A do të jetë më i fort si nga cilësia, ashtu edhe nga konkurrenca pasi që siç dihet, shumë klube që në fillim i kanë shpreh aspiratat e tyre për inkuadrim në Superligë dhe lufta do të jetë e ashpër deri në fund, kur dihet se në këtë grup janë ekipet me nam në futbollin kosovar, siç janë: Liria, Vëllaznimi, Trepça, Trepça ’89, Besa si dhe ekipi ynë Drenica”, shprehet Lushtaku.

Fundjavën që lamë pas filloi Liga e Parë e Kosovës në të dyja grupet, teksa Drenica hapi kampionatin në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, aty ku nuk mungoi përkrahja e një numri të madh tifozësh.

Përkrahje e madhe tifozëve drenicak u shpërblye, pasi KF Drenica shënoni fitore minimale me rezultat 1-0 ndaj skuadrës së Besës së Pejës.

Kjo fitore e rrit “apetitin“ e lojtarëve dhe tifozëve për më shumë rezultate pozitive.

Sipas Lushtakut pas riorganizimit dhe fitores ndaj FC Besa Peja është rikthyer besimi i tifozëve ndaj skuadrës, gjë që u dëshmua me numrin e madh të tyre në ndeshjen e fundit në stadiumin “Bajram Aliu”.

“Me zgjedhjen e kryesisë së re si dhe me kthimin e lojtarëve vendor që i kemi pas të shpërndarë nëpër ekipet tjera është kthyer edhe besimi tek tifozët dhe dashamirët e sportit, gjë që u vërejt në ndeshjen e parë hapëse të sezonit ku stadiumi ishte i mbushur plot me shikues”, përfundon drejtori sportiv, Fisnik Lushtaku.

Ndërkohë, xhiron e dytë, skuadra e Drenicës, do ta ketë me skuadrën nga Gjakova, KF Vëllaznimi.

Ndryshe, KF Drenica për herë të parë në historinë e klubit, është eliminuar nga Superliga e Kosovës dy sezone më parë. Këtë sezon drenicakët do të tentojnë ta kthejnë ekipin e tyre në elitë./Arbresh.info/Drilon Halili/

 

 

Të ngjashme