Organizata e Kombeve të Bashkuara dënoi të hënën nivelin e ‘papranueshëm’ të dhunës që po bëhet e zakonshme kundër punonjësve të organizatave humanitare. Sipas OKB-së, në vitin 2023 u vranë 280 punonjës të tillë, një shifër rekord.
OKB gjithashtu paralajmëroi se lufta Izrael-Hamas në Gazë ka mundësi që të rrisë edhe më shumë këtë shifër.
“Normalizimi i dhunës kundër punonjësve të organizatave humanitare dhe mungesa e llogaridhënies janë të papranueshme, të pandërgjegjshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për operacionet e dërgimit të ndihmave kudo”, tha Joyce Msuya, drejtoreshë në detyrë e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në një deklaratë për Ditën Botërore Humanitare.
“Me 280 vrasje të punonjësve të organizatave humanitare në 33 vende vetëm vitin e kaluar, viti 2023 regjistrohet si viti më vdekjeprurës për këtë komunitet”, një rritje kjo prej 137% nga viti 2022, kur u vranë 118 punonjës të tillë, tha OCHA përmes një njoftimi dërguar mediave.
Të dhënat regjistrohen nga viti 1997 nga Baza e të Dhënave të Sigurisë së Punonjësve të Organizatave Humanitare.
OKB thotë se mbi gjysma e këtyre vrasjeve ndodhën në Gazë gjatë tre muajve të parë të luftës Izrael – Hamas, kryesisht nga sulmet ajrore.
Luftërat civile në Sudanin Jugor dhe Sudan janë dy prej konflikteve më vdekjeprurëse në botë, pas asaj në Lindjen e Mesme.
Në 10 vendet e para në këtë listë janë edhe Siria me shtatë vdekje, Etiopia dhe Ukraina me gjashtë secila dhe më pas vijnë Somalia, Mianmari dhe Republika Demokratike e Kongos.
Në të gjitha konfliktet, shumica e vdekjeve përfshijnë stafin lokal të organizatave humanitare.
Viti 2024 mund të tejkalojë shifrën rekord të regjistruar një vit më parë. Deri më 9 gusht, OCHA njofton se janë regjistruar 176 vdekje të punonjësve të organizatave humanitare.
Çdo vit, Kombet e Bashkuara e shënojnë Ditën Ndërkombëtare Humanitare më 19 gusht, përvjetorin e sulmit në zyrat e OKB-së në Bagdad, në vitin 2023.
Gjatë atij sulmi u vranë 22 njerëz duke përfshirë Sergio Vieria de Mellon, Përfaqësuesin Special të OKB-së në Irak. Gjatë sulmit u plagosën edhe 150 punonjës lokalë dhe ndërkombëtarë të organizatave humanitare./voa/
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...